Barça, Atletico, Real, e mërkura në provën e “zjarrit”

19/04/2016 00:00

E mërkura do të jetë prova e zjarrit për pretendentët e titullit kampion në futbollin spanjoll.

Barcelona kryesuese e brishtë me Atleticon në kuotë të njëjtë pikësh, por edhe Reali i Madridit janë të dënuar të fitojnë pavarësisht nivelit të kundërshtarit që kanë këtë mesjavë. Formacioni katalanas, që përveç finales së Kupës, po shpërdoron shanset e fundit për trofe këtë sezon, ka lënë ndjekësit të rikuperojnë 9 pikë avantazh, por sidoqoftë trajneri Luis Enriqu ka besim te titulli. Sfida e radhës është në La Korunja ndaj Deportivos, pas të cilës skuadra “blaugrana” do të ketë edhe 4 ndeshje të mbetura.

“Nuk jam i interesuar se çfarë bëjnë kundërshtarët, por di ku jemi ne dhe se çdo gjë varet nga forma jonë. Për ta zgjidhur krizën duhet të marrim fitore, ajo që më shqetëson është të jemi më të mirë se Deportivo pikësëpari, e më pas testet e tjera”, tha trajneri i Barcelonës.

Gerard Pike në këtë transfertë është i pezulluar dhe do të zëvendësohet nga Bartra.

Atletico e Madridit ka një ndeshje më të vështirë ndaj Bilbaos dhe nëse dështon mund të parakalohet nga fqinjët e qytetit, Real Madrid.

Formacioni i “blancos’ do të jetë pa uellsianin Gereth Bale që është dëmtuar dhe 3 pikët potenciale ndaj Villarealit, bëhen më të vështira pa mister 100 milionëshin në fushë.

“Blancos” kanë shansin të marrin fitoren e 8 radhazi në La Liga, nëse do të mundin “nëndetësen” në stadiumin “Santiago Bernabeu”.

Top Channel