Shpend Ahmeti dëshmitar i dhunës në ndeshjen Vardari-Shkëndija

18/04/2016 00:00

Si dashamirës i futbollit, kryetari i Komunës së Prishtinës ishte i ftuar nderi nga drejtuesit e Shkëndijes në ndeshjen e javës së 27 të kampionatit maqedonas me Vardarin.

Dhe padashje Shpend Ahmeti është bërë dëshmitar i urrejtjes dhe dhunës së huliganëve maqedonas.

Ai ndodhej në grupin e drejtuesve të Shkëndijes, të cilët lanë stadiumin “Filipi i II” në Shkup pas shpërthimit të dhunës nga ana e grupit të tifozëve të Vardardit të njohur si “Komitët”.

“Gjatë gjithë lojës këndimet e tifozëve të Vardarit ishin të llojit “shqiptarët e mirë janë shqiptarët e vdekur”. Pasi shënoi Vardari, gjërat u tensionuan edhe më shumë sepse ata e kishin të qartë që aty jemi rreth 20 shqiptarë. Filluan të këndojnë që të gjithë maqedonët të ngrihen në këmbë për të vërtetuar se ne ishim shqiptarë. Mirëpo incidenti ndodhi kur Shkëndija shënoi golin e barazimit dhe kryetari i klubit të Shkëndijes u ngrit në këmbë për të festuar. Që nga ai moment, filluan të gjuajnë gjësende në drejtimin tonë, duke goditur disa nga personat që ishin aty. Policia erdhi me vonesë dhe u mundua t’i qetësojë, por pa sukses. U detyruan të na nxjerrin nga ndeshja për sigurinë tonë”, shkruan Shpend Ahmeti në Facebook.

Për atë që ndodhi Ahmeti thotë se nuk bëhet fjalë vetëm për urrejtje të shfaqur në një ndeshje futbolli.

“Jam i vetëdijshëm që huliganë të futbollit ka kudo në botë. Megjithatë, ajo që nuk mund të tejkalohen janë dy gjëra: 1. Urrejtja ndaj shqiptarëve është në maksimum dhe në situata të tilla shpërfaqet e pastër. 2. Përfaqësimi shqiptar në Maqedoni është në gjendje shumë të dobët. Koketimi i partive tona për qeveri pa kërkesa të qarta dhe parimore të shqiptarëve do të sjellë më shumë diskriminim dhe urrejtje ndaj shqiptarëve e jo vetëm në ndeshje futbolli”, thotë ai.

“Unë mund të jem atje vetëm disa orë, një herë në dy tre muaj, por shqiptarët e Maqedonisë atje jetojnë në kushte të tilla gjatë tërë vitit, brenda e jashtë stadiumit”, mbyll reagimin e tij kreu i Komunës së Prishtinës.

Top Channel