Zidane beson: Do i arrijmë gjysmëfinalet

08/04/2016 00:00

Zinedine Zidane beson te misionet e pamundura, sidomos në një kompeticion si Liga e Kampioneve, ku francezi ka dhënë spektakël në fushë në kohën kur ishte futbollist aktiv.

Ikona franceze me origjinë algjeriane tashmë është përballë një tjetër detyre të vështirë, por nga pankina e Realit të Madridit, aty ku duhet të gjejë mënyrën për të arritur në gjysmëfinalet e kupës me veshë të mëdhenj.

Për këtë duhet të zhvlerësojë humbjen surprizë 2-0 ndaj Volfsburgut, diçka të cilën Zizu beson se do të ndodhë javën e ardhshme. Edhe pse rikuperoi pikë në La Liga dhe këtë të shtunë do të luajë një përballje të lehtë ndaj Eibarit, mendja e “Los Blancos” është e gjitha tek sfida e së martës ndaj gjermanëve në Europë.

“E dimë mirë që luajmë të gjithë sezonin ndaj Volfsburgut dhe rëndësinë e kësaj sfide e kuptojnë edhe tifozët. Por mua më pëlqejnë gjërat e vështira dhe me mbështetjen e publikut besoj se do kalojmë në gjysmëfinale. Sinqerisht nuk e prisja humbjen në ndeshjen e parë, por futbolli është kështu”, tha Zinedine Zidane.
 
Ish-futbollisti i Realit dhe kombëtares franceze tha se detyra primare është rindërtimi i vetëbesimit. “E dimë që dështuam në 90 minuta, por kaq mjafton. Nuk duhet të mbajmë mendjen në një ndeshje, pasi çfarë kemi bërë muajt e fundit është shumë pozitive dhe nuk mund ta fshijmë thjesht me humbjen ndaj Volfsurgut”, tha Zidane.

Trajneri i “Galaktikëve” shpreson të rikuperojë në kohë për Champions League të martën në mbrëmje lojtarë të rëndësishëm si Karim Benzema dhe Rafael Varane.

Top Channel