F1, Rosberg vendos diktatin në Bahrein

01/04/2016 00:00

Mercedesi është shfaqur i frikshëm në ditën e parë të testeve, në prag të Çmimit të Madh të Bahreinit, ndalesa e dytë e Botërorit të Formulës 1.

Nico Rosberg dhe Leëis Hamilton vendosën kohët më të mira në të dy sesionet e zhvilluara të premten, me gjermanin që pati një avantazh ndaj shokut të tij të skuadrës, edhe pse në sesionin e dytë, diferenca e tyre ra pothuajse në një të dhjetën.

Në sesionin e pasdites, Rosberg e ndali kronometrin në kohën 1’31’’001. Befasoi në këtë sesion të dytë Jenson Button, me McLaren, teksa realizoi kohën e tretë më të mirë, por ishte një sekondë më i ngadaltë sesa koha e vendosur nga Hamilton. I katërti u rendit Verstappen, ndërsa dy Ferrarit ndanë vendet 5 dhe 6, me një diferencë të konsiderueshme nga kohët e pilotëve të Mercedesit.

Me këtë paraqitje që Mercedes ka bërë në ditën e parë të testeve në Bahrein, ka rikthyer frikën e një tjetër sezoni të paracaktuar, ashtu siç ndodhi edhe në dy sezonet e shkuara.

Provat zyrtare për Çmimin e Madh të Bahreinit do të zhvillohen të shtunën në orën 5, ndërsa gara të dielën në të njëjtën orë, dhe do të transmetohen drejtpërdrejt në Top Channel.

Top Channel