Kosovë, opozita proteston për “Prilluzhën”. Qeveria: Kauzë e sajuar për përfitime politike

18/03/2016 00:00

Tri partitë opozitare në Kosovë kanë mbajtur një protestë në Vushtrri, për të kundërshtuar propozimin e serbëve për krijimin e një komune të re me shumicë serbe, atë të Prilluzhës, që ndodhet mes komunave shqiptare të Vushtrrisë dhe Obiliqit.

Kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri tha se, në rast formimi të komunës së Prilluzhës, Serbia do të kontrollojë edhe pasurinë e thëngjillit të Kosovës, që ndodhet në këtë zonë.

“Serbia e ka ndarë ‘Trepçën’ dhe po e kontrollon përmes Mitrovicës së ndarë. Brezovicën e kontrollon përmes komunës së Shtërpçës. Minierat e Artanës i kontrollon përmes zgjerimit të komunës së Artanës. Ndërsa tani, po kërkon të kontrollojë thëngjillin e Kosovës përmes komunës së Prilluzhës”, tha Visar Ymeri.

Kjo protestë e opozitës është vlerësuar si shpikje e pavërtetë, nga ana e Qeverisë së Kosovës, e cila përmes një komunikate ka sqaruar se, nuk ka diskutuar asnjëherë dhe për asnjë moment themelimin e një komune të re serbe.

Qeveria vlerëson se, thirrja e qytetarëve në protestë për një komunë të trilluar nga opozita, konfirmon se partitë opozitare në Kosovë po sajojnë kauza për përfitime politike, duke u përpjekur të polarizojnë shoqërinë kosovare.

Protestën e opozitës kosovare, kundër idesë për komunën e re serbe, e ka komentuar edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç. Gjatë një vizite në një fshat me banorë serbë në Lipjan, ai ka thënë se nuk e kupton faktin kur dikush kërkon të protestojë për të pasur tjetri më pak të drejta.

Top Channel