Disiplina “kryqëzon” Elis Bakajn e Tiranës, 4 ndeshje pezullim

11/03/2016 00:00

Gjestet antisportive dhe ofendimet ndaj arbitrit kryesor në derbin e humbur ndaj Partizanit, do t’i kushtojnë shtrenjtë sulmuesit Elis Bakaj.

Futbollisti i Tiranës, i cili u përjashtua me karton të kuq në sfidën ndaj “Demave të kuq” në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, tani është “kryqëzuar” edhe nga Komisioni i Disiplinës. Elis Bakaj është dënuar me 4 ndeshje pezullim për sjellje josportive ndaj gjyqtarit Lorenc Jemini.

Derbi i sulmuesit zgjati vetëm 9 minuta, pasi ai u ndëshkua me të kuq duke u detyruar të lërë fushën, pas protestave të ekzagjeruara dhe ofendimeve ndaj arbitrit, veprime amatore për një lojtar kontigjent të kombëtares.

Ndërkohë, skuadra e Partizanit, për sjellje të gabuar të spektatorëve dënohet me gjobë në masën 100 mijë lekë. Të njëjtën masë disiplinore do ta vuajnë edhe Flamurtari e Kukësi, për këtë arsye, një dënim i lehtë për skuadra që këto shkelje i kanë të përsëritura.

Top Channel