F1, FIA miraton formatin e ri të provave

04/03/2016 00:00

Këshilli Botëror i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit miraton formatin e ri të provave zyrtare të Botërorit të Formula 1. Sipas asaj që publikohet te “Autosport”, sistemi i ri i kualifikueseve do të nisë të aplikohet që nga gara e parë e këtij kampionati që do të zhvillohet në Australi më 20 mars.

Ditët e kaluara, Bernie Eçlestone shprehu shqetësimin për zbatimin e menjëhershëm të këtij formati. Sipas tij duhet kohë që softuerët që kronometrojnë kohët e pilotëve, të përshtaten me këtë sistem të ri. Por ky shqetësim nuk u mor parasysh nga FIA.

Vlen të kujtohet se formati i ri i provave zyrtare të Formula 1 parashikon zhvillimin në 3 minisesione, ndërkohë që skualifikimet e pilotëve më të ngadaltë do të bëhen me sistem eliminimi.

Në minisesionin e parë që është 16 minuta skualifikohen 7 pilotë. Eliminimi i parë ndodh pas 7 minutash, më pas ky proces do të përsëritet çdo 90 sekonda.

Në minisesionin e dytë prej 15 minutash ku do të skualifikohen 7 pilotë të tjerë dhe eliminimi i parë do të bëhet pas 6 minutash, për të vijuar me të njëjtën procedurë si në të parin.

Në minisesionin e fundit do të jenë 8 pilotë, eliminimi i të cilëve nis pas 5 minutash për të vijuar nga një skualifikim çdo 90 sekonda deri sa në fund të mbeten 2 pilotët që do të garojnë për pole-position.

Top Channel