Interi mposht 3-0 Juventusin, por në finale kalojnë bardhezinjtë

02/03/2016 00:00

Milan-Juventus do të jetë finalja e Kupës së Italisë për këtë sezon. Interi bëri maksimumin mbrëmjen e së mërkurës në ndeshjen e kthimit ndaj Juventusit, duke e çuar ndeshjen te penalltitë pasi i mbylli 120 minuta lojë me rezultatin 3-0, aq sa Juventusi fitoi në ndeshjen e parë.

Megjithatë, bardhezinjtë u treguan më të saktë në goditjen e 11-metërshave, duke siguruar finalen e Kupës ku do të ndeshen me Milanin, që arriti të kualifikohet një ditë më parë.

Interi zhvilloi një ndeshje të madhe, duke shënuar 3 herë në kohën e rregullt. Në pjesën e parë me Brozovic, në minutën e 49 Perisic dhe 8 minuta para përfundimit të kohës së rregullt ishte sërish kroati Brozovic që e çoi ndeshjen në 3-0. Me të njëjtin rezultat, Juvetusi fitoi në Torino dhe takimi shkoi në kohë shtesë, por në 30 minutat e saj nuk pati më gola dhe për të vendosur ekipin finalist u nevojitën gjuajtjet e penalltive. Lojtarët e Juventusit ishin perfekt duke realizuar të pesta goditjet, ndërsa për Interin gaboi Palacio. Njëra nga penalltitë e zikaltërve u shënua nga lojtari shqiptar, Manaj.

Ndeshja finale e Kupës së Italisë do të zhvillohet më 21 maj.

Top Channel