Autostrada energjetike Kosovë-Shqipëri, ambasadori i SHBA: Vazhdoni projektet

01/03/2016 00:00

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg DelaWie, duke folur në forumin e nivelit të lartë me temë “Siguria e furnizimit me energji elektrike në Kosovë”, ku u diskutuan zhvillimet në sektorin energjetik në Kosovë, ka inkurajuar Prishtinën dhe Tiranën që, përveç autostradës energjetike prej 400 kilovoltësh, të zgjerojnë bashkëpunimin në këtë drejtim.

“Le të jetë dita e sotme, ditë e kthesës për krijimin e tregut të përbashkët të energjisë elektrike. Bëni përpjekje që të gjeni mënyrat për të bashkëpunuar, për të mirën e përbashkët mes jush. Ne mirëpresim edhe zhvillimin e kapaciteteve të reja gjeneruese për energji elektrike”, tha Greg DelaWie, ambasador i SHBA-ve në Kosovë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci tha se, ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” dhe ndërtimi i autostradës energjetike me Shqipërinë, do t’i japin një zgjidhje të qëndrueshme problemit të energjisë në Kosovë dhe Shqipëri, duke krijuar kështu një treg të përbashkët energjie.

“Tregu i përbashkët hap rrugën për tregun rajonal gjithashtu dhe pastaj, si të tilla, të përfshihen në një treg të përbashkët të rrjetit transeuropian. Kjo do të mundësonte ekonomizim më të mirë të kapaciteteve dhe përfitim më të madh nga plotësueshmëria e burimeve të gjenerimit”, tha Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik në Kosovë.

Edhe pse në axhendë ishte parashikuar, që në këtë forum të fliste edhe zëvendësministri i Energjisë dhe Industrisë i Shqipërisë, Gëzim Musabelliu, ai nuk ishte i pranishëm.

Kosova i ka përfunduar në fund të vitit 2015 punimet në territorin e saj për autostradën energjetike, me një gjatësi prej 90 kilometrash, ndërsa pjesa e Shqipërisë, që ka një gjatësi prej 151 kilometrash, sipas përfaqësuesve të operatorit të sistemit pritet të përmbyllet gjatë pjesës së parë të këtij viti.

Top Channel