Nata e çmimeve “Oscar”

26/02/2016 00:00

Ajo është ngjarja më e rëndësishme e botës së filmit, e njëkohësisht është edhe një shfaqje e shumëpritur për industrinë e modës.

Natën e “Oscar”-ëve, e gjithë bota i kthen sytë nga tapeti i kuq, e sigurisht ekspertët janë gjithë sy e veshë për të analizuar veshjet, kush shkëlqeu e kush doli huq.

Një prej tyre, Sam Saboura shpreson që aktorja suedeze, Alicia Vikander, e nominuar për aktoren më të mirë joprotagoniste falë interpretimit të saj te “Vajza daneze”, do të vazhdojë të eksperimentojë me “look”-un provokues.

Në ceremoninë e çmimeve “Bafta” në Londër, 27-vjeçarja kishte veshur një fustan të zi lëkure të “Louis Vuitton” zbukuruar me kristale, pesha e të cilit thuhet të ketë qenë diku te 15 kg.

“Ka disa kohë që luan me dizenjues si Louis Vuitton, që është disi avangardist dhe jo një emër që e dëgjon apo sheh shpesh në tapetin e kuq. Për këtë arsye edhe më pëlqen ‘look’-u i saj. Alicia duket që merr përsipër të rrezikojë, por ne duam të rrezikojë edhe më shumë”, tha Sam Saboura, ekspert mode.

Në vëmendje, sipas tij do të jetë edhe e nominuara në kategorinë e aktores më të mirë, Brie Larson. Larson është fytyrë e re në mbrëmjet e “Oscar”-ëve, kështu që, edhe përzgjedhjet që do të bëjë sa i takon veshjes, padyshim ngjallin kërshëri.

Dritat e prozhektorëve do të kthehen edhe te Leonardo DiCaprio, pretendenti kryesor për statuetën e artë të aktorit më të mirë. Leo është tepër klasik si tip, – thotë Saboura, – por shpresojmë që këtë herë të na befasojë, duke dalë nga skema e tij.

Top Channel