Vidal në telashe, largohet “vjedhurazi” nga hoteli

25/02/2016 00:00

Telenovela për jetën jo të rregullt të Arturo Vidal pasurohet me një kapitull të ri.

Sipas të përditshmes “Bild”, mesfushori kilian, është parë të largohet nga hoteli “Principi di Piemonte”, ku akomodohej skuadra gjermane, në orën 02:25 të natës për të shkuar në një festë me miqtë e tij.

Vidal kishte veshur tutat e kompletit të Bajernit, atlete të bardhe dhe kishte vënë në kokë një kapuç të zi. Mesa duket, Vidal kishte dalë nga një derë e pasme për të marrë më pas taksinë që po e priste.

Gjithnjë sipas “Bild”, Vidal ishte i shoqëruar nga 2 punonjës të sigurisë për të mbuluar largimin e mesfushorit, por plani duket se nuk i funksionoi.

Madje, “Bild” shkoi më tej duke ironizuar atë çfarë ndodhi. “Nuk dihet se cili ishte qëllimi i këtij udhëtimi në mes të natës së Vidal, por është e qartë se humori i mesfushorit ishte shumë i mirë pas paraqitjes bindëse kundër Mario Mandzukic dhe ish-skuadrës së tij”, lexohet në artikullin e “Bild” që i referohej paraqitjes së futbollistit në sfidën me Juven që nuk ishte ajo që pritej sipas saj

Nuk është hera e parë që media gjermane i kundërvihet Vidal. Kiliani jo pak herë është akuzuar për sjellje jo profesionale dhe destabilizuese në skuadër. Kulmi arriti, kur ai kishte lënë në dhomat e zhveshjes të hapur zarfin e pagës e interpretuar si një veprim provokues, duke qenë se ai përfiton 8 milionë euro në sezon për të qenë një ndër lojtarët më të paguar te Bajerni.

Duke parë këtë situatë të krijuar, Vidal po mendon seriozisht largimin nga Gjermania në fund të sezonit për t’u transferuar në Angli ku skuadra e Chelsea-t është gati të bëjë gjithçka për të siguruar shërbimin e tij.

Top Channel