Probleme financiare, Thohir mund të shesë Interin

25/02/2016 12:15

Interin e pushtojnë problemet financiare që e kanë vendosur presidentin e tij në një dilemë: të shesë të gjitha aksionet e tij në klub apo të kërkojë ortakë në Kinë për të nisur gjithçka nga e para.

Për këtë arsye do të zhvillohet edhe një mbledhje e Këshillit Administrativ të klubit. Tema kryesore në këtë mbledhje është huaja e marrë na Goldman Saks prej 230 milionë eurosh që duhet të shlyhet me një këst prej 1 milionë eurosh në vit deri në këstin maksimal prej 184 milionë të parashikuar të shlyhet në 2019, ndërkohë që bilanci i sezonit 2014-2015 flet për një humbje prej 140 milionë eurosh.

Interi është nën kërcënimin e Fair Play-t financiar të UEFA-s. Për këtë vit, diferenca mes kostove dhe të ardhurave duhet të jetë maksimumi 30 milionë euro dhe për klubin milanez ky objektiv duket i vështirë për t’u arritur, edhe nëse Interi do të bëjë një rritje të kapitalit me 20-30 milionë. Një situatë e tillë mund të bëjë që biznesmeni indonezian Thohir të dorëzohet përfundimisht.

Në ditët e kaluara Thohir i kishte dhënë mandatin Goldman Saks të nisë kërkimet për partnerë të rinj financiarë në Azi e në Kinë, duke ndjekur shembullin e Manchester City. Duket se e interesuar në këtë pikë ëshë kompania “Chemchina” me 40 miliardë euro të ardhura dhe që është aksionerja kryesore e Pirellit, që sapo rinovoi kontratën me Interin.

Por jo vetëm kaq, te Interi është edhe çështja Moratti. Ky i fundit fillimisht bëri të ditur se është gati të shesë kuotën e tij të aksioneve prej 30%, por më pas përgënjeshtroi gjithçka. Nëse Goldman do të gjejë vërtet investitorë të huaj, atëherë ka të ngjarë që Moratti të ndryshojë mendje.

Top Channel