Mustafa: Shteti nuk dorëzohet përpara gazit lotësjellës dhe dhunës

20/02/2016 18:10

Një ditë pas seancës së tensionuar parlamentare, kryeministri Isa Mustafa ka ftuar sërish opozitën për kthim në institucione dhe për dialog.

“Shteti nuk do të dorëzohet as para gazit lotsjellës, as para dhunës. Ne jemi të interesuar që krahas shtetit të ndërtojmë një demokraci me të cilën do të mburremi para opinionit ndërkombëtar”, ka deklaruar Mustafa.

Kreu i qeverisë ka reaguar të shtunën edhe ndaj një peticioni që nisi online për largimin e ambasadorit amerikan nga Kosova, pas deklaratave të ashpra që ai bëri ndaj tri subjekteve opozitare për veprimet e tyre në Kuvend.

Qeveria e ka dënuar ashpër peticionin ndaj ambasadorit, duke e cilësuar atë si iniciativë denigruese dhe përpjekje e ulët për linçim publik.

Ndaj veprimeve të deputetëve të opozitës, që bllokuan seancën e Kuvendit me gaz lotsjellës, ka reaguar të shtunën edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, e cila ka bërë thirrje për heqjen dorë nga dhuna e çdo forme dhe për kthim në dialog.

Seanca përfundoi edhe me arrestimin e deputetëve të opozitës: Pal Lekaj, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi, Shqipe Pantina, Fisnik Ismaili, Enver Hoti, Teuta Haxhiu, Mytaher Haskuka dhe Rexhep Selimi.

Ata ndodhen në arrest prej 48 orësh, ndërsa të shtunën janë dërguar para gjykatës dhe akuzohen për veprat penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, përkatësisht gaz lotsjellës” dhe “pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare”.

Për të njëjta vepra akuzohet edhe deputetja Albulena Haxhiu, e Vetëvendosjes, por ajo është marrë në pyetje nga prokurori në ambjentet e spitalit ku po trajtohet, pasi u rrëzua në hollin e Kuvendit gjatë përleshjes me një police të sigurimit.

Top Channel