Zvicër, Taulant Xhaka pezullohet me 4 ndeshje

19/02/2016 00:00

Federata Zvicerane e Futbollit ka pezulluar me katër ndeshje mesfushorin e Baselit dhe Kombëtares shqiptare, Taulant Xhaka.

Ky dënim i ashpër nga Komisioni i Disiplinës erdhi pas episodit në ndeshjen Basel- Grasshopers që përfundoi 4-0.

Në minutën e 31 të kësaj sfide, gjyqtari kryesor i takimit ndëshkoi me karton të kuq sulmuesin e Baselit, Janko, për një ndërhyrje të ashpër.

Ndërkohë që të gjithë futbollistët vendas po protestonin ndaj veprimit të gjyqtarit, Xhaka iu afrua futbollistit kundërshtar Moritz Bauer duke e kapur për flokësh.

Ky episod nuk u pa nga gjyqtarët dhe Xhaka luajti 90 minuta në këtë sfidë, mirëpo Komisioni i Disiplinës mori pamjet filmike si provë duke e pezulluar shqiptarin me 4 ndeshje.

Xhaka pritet të mungojë në sfidën ndaj Vaduzit, Thunit, Luganos dhe St. Gallenit.

Top Channel