Marc Jacobs e mori një pjesë të “Park Avenue Armory”, ndërtesës historike me tulla të kuqe të Nju Jorkut, për ta shndërruar në vendin e prezantimit të koleksionit të tij “Vjeshtë 2016”.

Stilisti ikonë solli një linjë veshjesh, që kujtojnë epokën viktoriane, me pelerina të zeza mbushur me temina, e pallto të stërgjera veshur nga modele me një makiazh të errët, që i shërbente “look”-ut gotik.

Jacobs nuk ka nevojë për publicitet, por publiciteti asnjëherë nuk është i keq dhe vëmendja e shtuar, që i solli spektaklit të tij sfilimi i modeles Kendall Jenner dhe të famshmes Lady Gaga, ishte mëse e mirëpritur.

Prezantimi i koleksionit të Jacobsit përmbylli javën njujorkeze të modës, një event i shumëpritur i kësaj industrie, por që këtë radhë ishte ca i zbehtë.

Vendet bosh në radhët e para të sfilatave, apo mungesa me raste e kreativitetit kanë ushqyer bindjen e disave se, besimi tek “show”-t e modës, tashmë ka nisur të vanitet e se, mbase sfilimi në vetvete është i vjetëruar si koncept.

Top Channel