SHBA urojnë Kosovën në përvjetorin e 8 të Pavarësisë

17/02/2016 00:00

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama e uroi kryetaren e shtetit të Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e përvjetorit të 8 të shpalljes së Pavarësisë.

Obama ka treguar edhe njëherë në këtë urim se, Amerika vazhdon ta mbështesë Kosovën në krijimin e një demokracie vibruese, – siç tha ai, – dhe shumetnike.

“Kosova ka bërë përparime të rëndësishme drejt këtij qëllimi të përbashkët, sidomos me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian”, thuhet në mesazhin e Obamës.

“Në vitet që do të vijnë na presin rrugë të reja bashkëpunimi, edhe përmes programit kompakt mes Kosovës dhe Koorporatës Sfida e Mijëvjeçarit”, shton më tej Presidenti amerikan.

Më herët, përgëzime me rastin e këtij përvjetori dërgoi dhe Sekretari i Shtetit, John Kerry, i cili gjithashtu e përshëndeti përparimin e vendit drejt integrimit euroatlantik.

“Shtetet e Bashkuara, – deklaroi Kerry, – do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës, ndërkohë që ajo merr vendimet e vështira dhe të nevojshme, për të ecur më tej në rrugën drejt stabilitetit, begatisë dhe integrimit më të madh rajonal”.

Top Channel