Kosovë, AKP publikon emrat e uzurpatorëve të pronave pas luftës

15/02/2016 00:00

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka publikuar listën e uzurpatorëve të pronave shoqërore të 17 viteve të fundit. Sipas listës, 116 persona fizikë dhe 54 juridikë vazhdojnë të mbajnë pronat, që i kanë zaptuar pas luftës.

Sipas listës së publikuar, rajoni i Mitrovicës, e veçanërisht pjesa veriore që banohet me serbë ka më shumë prona të uzurpuara, apo 52 për qind të uzurpimeve totale, ndërsa rajoni i Prishtinës radhitet i dyti me 30 për qind. Ndërkohë, rajoni i Gjilanit është i vetmi që nuk shënon asnjë uzurpim.

Në listën e uzurpimeve figuron më së shumti emri i ish-deputetit të PDK-së, Bedri Selmani, i cili që nga paslufta ka mbajtur të uzurpuara pikat e karburanteve të kompanive ish-jugosllave, por në listën e uzurpatorëve figuron edhe kompania e ish-deputetit të LDK-së, Hashim Deshishku, sikurse edhe uzurpatorë të tjerë të hoteleve dhe tokave bujqësore.

Ndërsa në një listë tjetër, Agjencia e Privatizimit ka publikuar gjithashtu të gjithë emrat e uzurpatorëve, që nga paslufta e deri më tani. Sipas kësaj liste, 499 persona fizikë dhe 133 juridikë kanë mbajtur të uzurpuara qindra hektarë tokë, fabrika dhe lokale të ndryshme të ndërmarrjeve shoqërore.

Që nga paslufta, 74 për qind e uzurpimeve dhe uzurpatorëve – sipas listës, – kanë qenë në rajonin e Pejës.

Publikimin e emrave të uzurpatorëve të pronave shoqërore e ka përshëndetur, përmes një komunikate për media, kryeparlamentari kosovar Kadri Veseli, i cili ka qenë ndër ata që kanë kërkuar një transparencë të tillë nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Veseli ka ftuar tashmë të gjitha mekanizmat e drejtësisë, që të aktivizohen, të vlerësojnë dhe të gjykojnë çdo padrejtësi që është bërë me uzurpimet pas luftës.

Top Channel