“Archi-natyra Roma”, Klement Zoraqi çel ekspozitën

15/02/2016 00:00

Të hysh në shpirtin e Romës antike për të sjellë të padukshmen e asaj që natyra ofron. Kështjella e Sant’ Angelos, vetëm pak metra larg Vatikanit e Koloseos, vjen në kuadron e piktorit Klement Zoraqi, në një tjetër kontekst, ku emocionet përkthehen në gjuhën figurative.

“Jam përpjekur të evidentoj gjithçka emocionale që mbart ky vend historik përmes gjuhës figurative, duke lëvizur objektet në shërbim të kësaj ideje”, tha Klement Zoraqi.
Castelo di Sant’ Angelo prezantohet pa urën e famshme, e pa backgroundin natyror që e shoqëron në të vërtetë. Në vend të tyre Zoraqi ka pikturuar një varg pemësh gjatë një furtune, për të përcjellë dhimbjen që mbart ky vend, me të cilin lidhen shumë histori dramatike.

“Është vendi i tillë, historia e tillë mjaft dramatike, por dhe në mesjetë është një histori e tërë”, thotë Zoraqi.

‘Archi-natura Roma’ mban titullin ekspozita, në të cilen publiku mund të kundrojë 20 kuadro të frymëzuara nga arkitektura e natyra romake, e që do të qëndrojë e hapur deri në datën 19 në Galerine e Arteve FAB.

Top Channel