Skandali në atletikë, “Nestle” zgjidh kontratën me IAAF

11/02/2016 00:00

Skandali i dopingut dhe korrupsionit, po i kushton shtrenjtë Federatës Ndërkombëtare të Atletikës.

Qeveria e “mbretëreshës” së sporteve po përballet me probleme të shumta me sponsorët, të cilët kanë vendosur t’i japin fund bashkëpunimit me të.

Përpara disa javësh ishte kompania gjermane e veshjeve sportive “Adidas”, ajo që vendosi të zgjidhë kontratën me IAAF dhe shembullin e saj tani do ta ndjekë edhe “Nestle”.

“Vendimi për zgjidhjen e kontratës me IAAF u mor duke parë reklamimin negativ që po i bëhet për shkak të skandalit të dopingut dhe korrupsionit”, lexohet në një komunikatë për shtyp të Nestle. “Ne mendojmë se ky negativitet mund të ketë impakt dhe te imazhi e reputacioni ynë, kështu që vendosëm t’i japim fund marrëveshjes së bashkëpunimit me IAAF të nisur në vitin 2012”.

Në muajin janar, një komision i pavaraur i WADA-s publikoi një raport ku theksohej se korrupsioni kishte kapur zyrtarët më të lartë të këtij IAAF.

Në të njëjtën kohë në raport vihej në dukje edhe përfshirja e ish-presidentit Lamin Diak në këtë skandal.

Diak tashmë është vënë nën hetim nga drejtësia franceze me akuzën për korruspion dhe pastrim të parave që vinin nga bashkëpunimi me zyrtarët rusë për fshehjen e testeve pozitive të dopingut të sportistëve të këtij vendi.

Presidenti aktual i IAAF, Sebastian Coe, ka deklaruar vazhdimisht se do të bëjë të pamundurën për të pastruar imazhin e institucionit që ai drejton, por në këtë moment ky duket një mision shumë i vështirë për t’u kryer duke qenë se kompanitë sponsorizuese po e braktisin njëra pas tjetrës Federatën Ndërkombëtare të Atletikës.

Top Channel