Infantino merr mbështetjen e vendeve latine, shton votat për FIFA

28/01/2016 00:00

Gianni Infantino po shton nga java në javë mbështetjen e tij në futbollin botëror, e bashkë me të edhe votat e nevojshme për t’u zgjedhur president i ri i FIFA-s.

Zvicerani që synon të pasojë një bashkëkombës të tij në fronin e futbollit planetar, u kthye papritur në favorit për zgjedhjet e fund shkurtit pas dënimeve për Blatter dhe Platini.

Tashmë me kontinentin europian pas vetes dhe të tjera vota, Gianni Infantino është mbështetur zyrtarisht edhe nga konfederata e vendeve të Amerikës Latine.

CONMEBOL publikoi një njoftim për shtyp të komitetit ekzekutiv duke thënë se mbështet planin e aksionit dhe kandidaturën e zviceranit me një votë unanime.

Infantino është aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i UEFA-s dhe rivalizon me 4 kandidatë të tjerë për president.

Duke shmangur surprizat e procesit, 53 vota garanton UEFA për beniaminin e Mishel Platini, që shtohen me 7 vota të tjera nga Amerika Qendrore dhe 10 nga Amerika e Jugut. Në matematikën që bën Infantino, ai ka fituar paraprakisht 70 vota nga 209 federata me të drejtë zgjedhje.

Top Channel