Skuadra e kategorisë së tretë eliminon Palermon nga Kupa e Italisë

02/12/2015 00:00

Një natë më parë Milani, edhe pse me shumë vështirësi, arriti të kualifikohet në shtesë ndaj Crotones, ndërsa ditën e sotme ka ardhur edhe surpriza në Kupën e Italisë, Palermo është eliminuar nga US Alessandria, skuadër që militon në Lega Pro, kategoria e tretë në Itali.

Vendasit e kishin marrë lehtë këtë takim, duke hedhur në fushën e lojës ekipin e dytë të tyre. Por që me fillimin e ndeshjes u duk, se nuk do të ishte një pasdite e bukur për tifozët e Palermos.

Vendas u ndëshkuan që në minutën e katërt të takimit. US Alessandria kaloi në avantazh me një penallti të kthyer në gol nga Loviso, ndërsa situata do të bëhej edhe më e rëndë për Palermon kur Vazques të ndëshkohej me kartonin e kuq në minutën e 20 dhe vetëm një minutë më vonë miqtë shënuan edhe golin e dytë.

Në pjesën e dytë, Palermo ngushtoi diferencën me Trajkovskin. Por vetëm kaq pasi lojtarët e US Alessandria e mbyllën takimin në minutën e 82 duke shënuar edhe golin e  tretë. Në fund Gilardino shënoi golin e dytë për Palermon, por vetëm kaq, pasi tashmë nuk kishte më kohë dhe vendasit edhe pse kishin përball një skuadër të lehtë në letër tashmë janë jashtë Kupës së Italisë.

Top Channel