Hamilton: Triumf i jashtëzakonshëm në shi

25/10/2015 00:00

Kampioni i trefishtë i botës në Formula 1, Hamilton, mjaft i lumtur dhe i emocionuar pas triumfit në Çmimin e Madh të Amerikës, ka ndarë suksesin e arritur me të gjithë skuadrën, duke i falënderuar për punën që kanë bërë.

“Është momenti më i rëndësishëm në jetën time. Faleminderit për gjithçka keni bërë. Dua të falënderoj edhe të gjithë të pranishmit të cilët kanë qëndruar për orë të tëra në shi duke na mbështetur. Jam shumë i emocionuar dhe nuk gjej dot fjalët për të përshkruar atë që ndiej. Faleminderit skuadrës, familjes dhe të gjithë ju”, tha Hamilton.

30-vjeçari i Mercedes bëhet piloti i parë britanik që fiton titullin kampion dy herë radhazi, ndërsa i dhjeti pilot, dhe i dyti britanik, që është shpallur si më i miri i botës.

Shumë i zhgënjyer është shfaqur shoku i skuadrës së Hamilton, Nico Rosberg, i cili nuk ka hezituar ta përqafojë dhe ta urojë britanikun. “Zhgënjim i madh. E pabesueshme, nuk e di se çfarë ndodhi. Falenderoj të gjithë tifozët, keni qenë të mrekullueshëm sot”, mbylli fjalën e tij Rosberg.

Ndërkohë, edhe Vettel që e mbylli garën si i treti, ka uruar pilotin britanik. “Përgëzime për Hamilton dhe skuadrën e tij. Keni treguar nivele të lartë gjithë vitin, por ne ju jemi afruar shumë”, ka thënë gjermani.

Top Channel