Bundesliga gjermane, nënkampionët nuk gabojnë në start

16/08/2015 00:00

Wolfsburg-u mori maksimumin nga ndeshja e parë e Bundesliga-s gjermane, duke fituar me rezultatin 2-1 në fushën e tij ndaj Eintracht Frankfurt-it.

Gjithçka u vendos në 19 minutat e para të ndeshjes, ku nënkampionët e Gjermanisë arritën të shënonin dy gola, me anë të Ivan Perisic, i shumëkërkuar nga Interi dhe gjigandit holandez Dost, ndërsa miqtë shënuan në të 19-ën me anë të Stefan Reinartz.

Deri në minutat e fundit të takimit ndeshja u dominua nga të zotët e shtëpisë, pavarësisht se rezultati mbeti i pandryshuar.

Pas javës së parë, Bundesliga gjermane udhëhiqet nga Bayern-i, i cili arriti të shënonte 5 gola ndaj Hamburger një ditë më parë, ndërsa në vendin e dytë është Dortmund-i që fitoi 4-0 në fushën e tij ndaj Borussia Moenchengladbach.

Me 3 pikë janë edhe Schalke 04, Leverkusen, Wolfsburg, Hertha Berlin dhe Ingolstadt, të cilët u ngjitën në elitën e futbollit gjerman këtë sezon.

Top Channel