Kuqezinjtë, pa mbrojtësa ndaj Armenisë?! 4 prej tyre nuk janë ende gati

27/03/2015 00:00

Euforia e krijuar në këto ditë në prag të ndeshjes së përfaqësueses sonë me Armeninë, duket se ka marrë një frenim të fortë. Problemi kryesor për De Biazin në këtë ndeshje duket të jetë reparti i mbrojtjes, i cili me shumë gjasa do të ketë të paktën një mungesë shumë të rëndësishme, atë të Mërgim Mavrajt.

I ardhur me një dëmtim të lehtë, duket se gjërat janë përkeqësuar për mbrojtësin kuqezi në këto ditë grumbullimi në Durrës. Tashmë, veç hematomës në këmbë, ka pësuar edhe një tërheqje, për të cilat mjekët nën zë thonë se duhet normalisht 20 ditë qetësi, edhe pse po bëhet maksimumi për ta sjellë në gjendje për këto 90 minuta kaq të rëndësishme për eliminatoret e skuadrës sonë.

Sikur të mos mjaftojë ky dëmtim i Mavrajt, edhe dy përforcimet Arlind Ajeti dhe Naser Aliji, deri më sot nuk kanë dokumentacionin e nevojshëm për të veshur fanelën kuqezi për ndeshjen me Armeninë ditën e dielë. Pavarësisht përgatitjes së pasaportave shqiptare në kohë rekord, sidomos për emrin e ri Naser Aliji, kjo nuk po mjafton. Dokumentacioni që kërkohet nga FIFA për lejimin e këtyre dy lojtarëve është dërguar përpara dy ditësh, një kërkesë e detyrueshme duke qenë se të dy këta lojtarë kanë qenë pjesë e përfaqësueses së Zvicrës U21. Me procedura normale është e pamundur që Ajeti dhe Aliji të jenë në dispozicion për ndeshjen me Armeninë, por shpresa e Federatës Shqiptare të Futbollit mbetet tek ndërhyrjet për një favor nga organi më i lartë i futbollit botëror.

Në rast të kundërt, për De Biazin nuk do të ketë më gjumë. Me Mavrajn, i cili në 90% të mundësive nuk do të luajë, mungesa e Alijit, i cili gjithsesi është mbrojtës i krahut të majtë, Ajetit mbrojtës qendre dhe Curri i dëmtuar, pak zgjidhje mbeten.

Në litën e De Biazit për këtë ndeshje ishin grumbulluar 7 mbrojtës, prej të cilëve për momentin 4 nuk janë të disponueshëm për arsye të ndryshme.

E gjithë shpresa e trajnerit mbetet tek zgjidhjet e minutës së fundit. Leja e FIFA-s na shërben deri pak minuta përpara fillimit të ndeshjes, ashtu si edhe sinjali i mjekëve për Mavrajn, përndryshe, lista e të grumbulluarëve mund të rishikohet.

Ndërkohë që De Biazi pret përgjigjen e FIFA-s për lojtarët e tij, duket se i është ndezur drita jeshile për të qenë edhe ai tashmë një shqiptar, të paktën me dokumenta, pasi presidenti Nishani nesër do t’ja dorëzojë nënshtetësinë e re italiano-shqiptarit Xhani de Biazi.

Top Channel