Milan, Berlusconi: Në 2015-n të jemi më të mirët në Itali

04/01/2015 00:00

Presidentit të Milanit, Silvio Berlusconi, duket se i është rikthyer buzëqeshja dhe këtë përpiqet ta transmetojë edhe tek ekipi, duke vendosur objektivat për këtë vit të ri. “Gjatë 2015-s kemi gjithçka për t’u imponuar si skuadra më e mirë italiane. Për këtë duhet të kthehemi urgjentisht në Champions dhe duhet të fitojmë Kupën e Italisë”.

E shtuna për padronin kuqezi ka rezultuar vizita e radhës e zakonshme në Milanello, por këtë herë me një ditë vonesë, kjo edhe për shkak se kampionati është shtyrë për ditën e hënë. Për këtë vit të ri, “kavalieri” nuk i fsheh ambiciet dhe objektivat, teksa duket më i karikuar se kurrë më parë.

Duke vendosur si objektiv të këtij sezoni vendin e tretë në Serie A, i cili të jep mundësinë të luash në eliminatoren përpara fazës me grupe të Championsit, Berlusconi nuk ka mbetur pa përmendur edhe afrimin e fundit te Milan, Alessio Cerci. “E ndiqnim prej 3 vitesh, tashmë do të heqë mjekrën”.

“Mendoj se kemi të gjitha mundësitë, me këtë ekip aktual, që të kthehemi në protagonistë në Itali, në Europë dhe në botë. Besoj se nuk kemi nevojë për të tjera përforcime, pasi ekipi është i ekuilibruar në të gjithë repartet. Kemi edhe lojtarë në dispozicion, nëse dikush do të dëmtohet, është i skualifikuar, një avantazh që ekipet e tjera duket se nuk e kanë. Forca jonë është pikërisht të pasurit e dy formacione titullare dhe kompetitive. Nuk duhet të bëjmë mirë, por shumë mirë. Kam besim se mund ta rikthejmë Milanin aty ku kemi qenë prej vitesh”, është shprehur Berlusconi.

Top Channel