Rakitiç dhe “ëndrra e realizuar” me kalimin te Barça

24/12/2014 00:00

Në një intervistë ekskluzive për UEFA.com, Ivan Rakitiç ka folur mbi “ëndrrën” e tij të kalimit te Barcelona, për të mësuar nga Xavi Hernandez dhe për të ecur mbi gjurmët e Diego Maradonës në “Camp Nou”.

Ky është një tregues i respektit, me të cilin është përballur Rakitiç në La Liga, aq sa kur u bë e ditur se Cesc Fabregas do të rikthehej në Premier League, te Chelsea verën e kaluar, Luis Enrique nuk hezitoi aspak në përzgjedhjen e kroatit për të zëvendësuar mesfushorin spanjoll te Barça.

Kapiteni dhe njeriu i ndeshjes kur Sevilla fitoi Europa Leaguen gjatë vitit 2014, Rakitiç, ashtu si paraardhësi i tij me numrin 4 te “blaugranat” është përshtatur më së miri për të luajtur kudo në mesfushë, madje ka rezultuar një goditje me vlerë në “Camp Nou” për shkak të teknikës së tij, fleksibilitetit dhe dëshirës për të mbuluar çdo rol të ngarkuar ndaj tij.

I lindur në Zvicër nga prindër kroatë, 26-vjeçari nisi karrierën me Bazelin, e më pas luajti për 3 sezone e gjysmë te Schalke, përpara se të transferohej te Sevilla në Spanjë, në janar të vitit 2011. Kur Enrique dhe Barcelona i bënë thirrjen e parë gjatë verës, lojtari nuk nguroi dhe e lidhi të ardhmen e tij me klubin katalanas “po aq fuqishëm sa ç’thashë edhe ‘Po’-në e martesës”.

Përmendja e dasmës nuk është thjesht një “incident”. Kjo pasi kur ishte te Sevilla, ai thoshte se eksperienca si futbollist ndikohej shumë nga gruaja dhe i biri. “Jeta private, duam apo s’duam, shfaqet edhe në fushë – tha ai gjatë intervistës, duke pranuar se gëzimi dhe lumturia familjare e kanë ndihmuar atë të bëhet lojtari tipik që Barça dëshironte të blinte.

Në futboll, Rakitiç preferon të thotë se ka ditë të mira por edhe të këqija. Ajo që mbetet e pandryshuar është mendimi dhe veprimi, pikërisht përpjekja për të siguruar avantazhin për ekipin që përfaqëson.

Top Channel