“Cristiano e ka kaluar Messin”

07/11/2014 00:00

Wayne Rooney e ka të qartë se kush është për momentin futbollisti më i mirë në botë. Gjatë një interviste për ‘MUTV’ (televizioni i Manchester United), sulmuesi anglez theksoi se ish-shoku i tij i skuadrës “po kalon një moment të jashtëzakonshëm që e ka shndërruar në lojtarin më të mirë në botë”.

“Mendoj se do e fitojë sërish Topin e Artë. Në 2-3 vitet e fundit ka pasur një formë të jashtëzakonshme dhe e ka kaluar Messin. Është më i miri në botë dhe vështirë se çmimin do ia japin dikujt tjetër”, u shpreh Rooney.

Të mërkurën, Cristiano Ronaldo mori Këpucën e Artë, çmim që i jepet golashënuesit më të mirë të Europës. Portugezi shënoi 31 gola në kampionatin spanjoll sezonin e kaluar, po aq sa Luis Suarez në kampionatin anglez.

Pas dorëzimit të çmimit, Cristiano deklaroi se do të vazhdojë të stërvitet fort për t’u bërë futbollisti më i mirë në histori: “Unë dua të jem më i miri në histori, por secili ka mendimin e tij. Besoj se do ia dal mbanë. Po e shkruaj historinë time hap pas hapi dhe e sigurtë është që në fund të karrierës sime do të jem të paktën një nga më të mirët.”

Top Channel