F1, zyrtarizohet largimi i Vettel, por…

05/10/2014 00:00

Tashmë është zyrtare: Sebastian Vettel nuk do të jetë një pilot i Red Bullit për sezonin e ardhshëm.

Skuderia austriake ka dhënë njoftimin në Suzuka, duke deklaruar se nga viti 2015, pilotin gjerman do ta zëvendësojë Daniil Kvyat, rusi i cili momentalisht garon për skuderinë satelite të Red Bullit, Toro Rosso, për të formuar dyshen me australianin Daniel Ricciardo.

Gjermani, 4 herë kampion bote në Formula 1, është i destinuar për te Ferrari, ku do të zëvendësojë Fernando Alonson. Pritet vetëm komunikata zyrtare nga “kokëkuqja”, ndërkohë që spanjolli me shumë mundësi mund të rikthehet te McLaren-Honda.

Pas 6 vitesh intensive, nga 2009 e deri më sot, binomit fitues Vettel-Red Bull i vjen fundi, dhe kjo pas një sezoni tepër negativ sa i përket rezultateve. Megjithatë, ky sezon nuk zbeh atë që është arritur deri më tani: 38 Çmime të Mëdha të fituara, 65 podiume, 54 “pole-position” dhe 4 tituj kampion. Më shumë se kaq nuk mund t’i kërkohej gjermanit nga Heppenheim, i cili ka shfrytëzuar më së miri gjithçka ka pasur për të fituar.

Chris Horner, lideri i Red Bullit, duke përshëndetur Vettelin, ka konfirmuar edhe destinacionin e tij të ardhshëm: Po, nga Janari i 2015-s do të jetë kundërshtari ynë, sepse do të shkojë te Ferrari.

Ndërkohë, vet Sebastian Vettel, edhe pse nuk ka konfirmuar asgjë, ka folur për sfidën e tij të re: Është një zgjedhje e bërë me zemër, mezi pres të filloj aventurën e re.

A do ketë problem që shkon te një skuderi italiane? “Jo, jam ndjerë mirë kur kam qenë te Toro Rosso”, është shprehur gjermani.

Por, përse i thotë lamtumirë Red Bullit pas vetëm një sezoni zhgënjyes? “Ka qenë një zgjedhje e vështirë, por nuk është zhgënjimi i këtij sezoni që më detyron të largohem”, është shprehur Vettel, duke shtuar se “Kisha nevojë për një aventurë të re, është momenti i duhur për të ndryshuar atmosferë. Pasi kam reflektuar për një kohë të gjatë, mendoj se duhej ta bëja. Italishtja? Ndoshta e kam harruar paksa…”.

Top Channel