Turi i parë i Kupës së Shqipërisë

01/10/2014 00:00

Në turin e parë të Kupës së Shqipërisë nuk ka pasur pothuajse asnjë surprizë pasi të gjitha ekipet e mëdha kanë arritur të hipotekojnë kualifikimin që pas ndeshjeve të para duke regjistruar fitore të thella.

Përjashtim bën Flamurtari që nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola përballë Kamzës. Gjithsesi, çështja e kualifikimit pritet të jetë vetëm një formalitet për Flamurtarin që do ta presë Kamzën në Vlorë për të zhvilluar ndeshjen e kthimit.

Në kryeqytet, 13-herë fituesja e Kupës së Shqipërisë, Dinamo, u shpërfytyrua nga Apolonia. 0-4 në favor të skuadrës fierake ishte rezultati përfundimtar i kësaj sfide me formacionin e trajnerit Elidon Demiraj që tashmë e sheh veten me një këmbë në raundin tjetër.

Fitoren më të thellë në këtë raund të parë e arriti Skënderbeu që në stadiumin “Besa” të Kavajës shpartalloi me rezultatin 10-1 Himarën e Kategorisë së Dytë. Ribaj dhe nigeriani Piter Olyanika me nga një dygolësh ishin përcaktues në këtë sfidë. Për formacionin e Mirel Josës gjeti rrugën e rrjetës edhe sulmuesi brazilian Diego Martins.

Edhe Partizani ja doli të hidhte një hap të sigurt drejt kualifikimit pasi mposhti në Fushë-Krujë 3-0 Ilirinë me golat e Muskës, Mustafës dhe Osmanaj. Me të njëjtat shifra si të kuqtë fituan edhe kushurinjtë e tyre kryeqytetas. Tirana iu imponua me shifrat 3-0 Sopotit vendas falë dy golave të kroatit Busic dhe rrjetës së të riut Halili.

Të lehtë e pati edhe Kukësi që mposhti në transfertë 1-4 Vorën. Për nënkampionët golat u shënuan nga Allmuca, Pejic 2 herë dhe Lushtaku.

Një fitore me peshë arriti edhe Vllaznia që mposhti 0-2 Mamurrasin falë finalizimeve të sulmuesit italian Cioffi dhe autogolit të Tushes. Laçi fitues i Kupës së Shqipërisë në 2013 fitoi 2-0 në transfertë përballë Naftëtarit ndërsa me të njëjtin rezultat kaloi edhe Teuta Besëlidhjen në Lezhë. Skuadra që mban vendin e fundit në këtë edicion të Kategorisë Superiore, Elbasani, barazoi në derbi me Shkumbinin 2-2.

Top Channel