Peshëngritësit tanë stërviten në Greqi

13/09/2014 00:00

Ekipi ynë kombëtar i Peshëngritjes ndodhet në Athinë, për fazën përgatitore në kuadër të kampionatit botëror të Peshëngritjes, që do të zhvillohet në Kazakistan.

Ka qenë ndërhyrja e trajnerit të ekipit kombëtar të Greqisë, Luan Shabani, që ka mundësuar udhëtimin e sportistëve shqiptarë në Greqi.

Shabani ka ndërmjetësuar pranë autoriteteve greke, për vënien në dispozicion të palestrave dhe infrastrukturës së ekipit grek, për të mundësuar edhe përgatitjen e sportistëve tanë, çka është pranuar menjëherë prej autoriteteve greke, të cilat shprehen të entuziazmuara për nivelin e lartë të bashkëpunimit midis dy vendeve.

Aktualisht, ekipi ynë kombëtar po stërvitet në palestrën olimpike në “Shën Kozma”, në kryeqytetin grek, Athinë.

Sportistët shqiptarë shprehen të kënaqur për nivelin e lartë të ambienteve trajnuese dhe falënderojnë Federatën greke për ndihmën e dhënë për ta. Stërvitja është intensive, ndërsa kampionët shqiptarë shprehen të bindur se, në Botëror do të kenë rezultate të mira.

Në ekipin tonë bëjnë pjesë edhe kampionët e Europës, Romela Bega dhe Daniel Godelli. Veç ndihmës së palës greke, sportistët tanë inkurajohen dhe përkrahen çdo ditë edhe prej dhjetra bashkatdhetarëve tanë, që i vizitojnë në ambientet e stërvitjes, ndërsa një kujdes të veçantë për ta ka treguar edhe Ambasada jonë në Athinë.

“Është një iniciativë shumë e bukur, që të dyja ekipet, ai i yni kombëtar i Peshëngritjes së bashku me ekipin kombëtar të Greqisë, që po stërviten në ambientet e këtij klubi. Miqësi dhe solidaritet midis shokëve dhe miqsh, të cilët në Kazakistan, në kampionatin e ardhshëm botëror, do të garojnë siç është garuar gjithmonë, midis vendeve, popujve dhe kombeve të ndryshme, garë me flamurin dhe simbolikën e paqes, të shpirtit të garës dhe konkurrencës”, u shpreh Dashnor Dervishi, ambasador i Shqipërisë në Greqi.

Top Channel