Incidenti, reagon edhe FSHF

11/09/2014 00:00

E shqetësuar për ngjarjet e rënda të ndodhura në ndeshjen e javës së tretë të Superiores, Vllaznia-Tirana, të luajtur në “Loro Borici” të Shkodrës, ka reaguar edhe Federata shqiptare e Futbollit, e cila, përmes një komunikate në faqen zyrtare ka bërë me dije ndaj opinionit publik dhe mediave se “dënon ashpër çdo akt të dhunshëm që dëmton lojën dhe prish imazhin e futbollit”.

“Federata Shqiptare e Futbollit garanton se të gjitha organet e drejtësisë sportive, mbështetur në rregullore, do të dënojnë energjikisht veprime të tilla. Institucioni i futbollit shqiptar do të kërkojë mbledhjen e tyre dhe marrjen e vendimeve sa më shpejt të jetë e mundur”, paralajmëron institucioni më i lart i futbollit.

Federata Shqiptare e Futbollit ka kërkuar gjithashtu nga Policia e Shtetit, që të marrë masa të forta, për të siguruar mbarëvajtjen normale të ndeshjeve të futbollit. Kjo pasi, siç shprehet FSHF, pa ndërhyrjen e saj profesionale, organizatorët e ndeshjes e kanë të pamundur të kontrollojnë veprimet e dhunshme nëpër stadiume.

FSHF i është drejtuar gjithashtu edhe Prokurorisë, duke kërkuar prej këtij institucioni që së bashku me policinë të ndalojnë shkaktarët e kësaj dhune dhe t’i dënojnë ata sipas ligjeve në fuqi.

“Nuk mund të penalizohet futbolli për hir të disa individëve të dhunshëm dhe të papërgjegjshëm”, lexohet në komunikatën për shtyp.

Në fund, FSHF u ka kërkuar sportdashësve, që të distacohen nga veprime të tilla të dhunshme, të cilat s’kanë asnjë lidhje me lojën e bukur të futbollit, por vetëm e shkatërrojnë atë.

I kontaktuar në telefon nga Top Channel, Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku theksoi se FSHF nuk mund të luftojë e vetme ndaj dhunës në stadiume dhe renditi disa faktorë të tjerë të rëndësishëm që ndihmojnë në parandalimin e këtyre gjesteve që s’kanë asnjë lidhje me futbollin. 

“Unë mendoj që nuk është vetëm federata organi që duhet të ndalojë dhunën nëpër stadiume, por janë një sërë faktorësh si: media, policia dhe Prokuroria. FSHF merr masa disiplinore sportive. Policia e Shtetit dhe Prokuroria duhet të jenë në të njëjtën linjë me komisionet tonë për të dënuar këta persona të pakët në numër, por që po prishin imazhin e futbollit. Të gjithë bashkë duhet të luftojmë këtë problem”, deklaroi Ilir Shulku. 

Top Channel