Kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe, deklaroi se personalisht mbështet largimin e guvernatorit Fullani nga drejtimi i Bankës së Shqipërisë.

Gjatë një interviste telefonike në emisionin e mëngjesit, në Top Channel, zoti Braçe tha se këtë pozicion, ai e ka bërë publik vite më parë dhe vazhdon t’i qëndrojë.

Eno Popi: Ju keni thënë që nuk është momenti që Fullani të largohet, ose të paktën kështu ju citoj nga raportimet e medieve.

“Jo, nuk kam thënë kështu. Kam thënë që për Komisionin, sepse unë nuk mund të mbaj qëndrimin tim personal, kur flas në emër të Komisionit. Normalisht, qëndrimi im është i ditur prej 4 apo 5 vitesh dhe, në rast se do isha dëgjuar në atë kohë, nuk do të kishim ardhur në këtë gjendje. Po ju them që zinxhiri kontrollues i bankës nuk ka funksionuar, ka dështuar totalisht”, u shpreh deputeti socialist Braçe.

Zoti Braçe deklaroi se Komisioni i Ekonomisë i ka konsideruar si të papranueshme një pjesë të shpjegimeve, që guvernatori i bankës dha në mbledhjen e mbyllur, në lidhje me skandalin e vjedhjes së Thesarit.

“Po ju them që Komisioni e ka vlerësuar si të pamjaftueshëm argumentin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, që sistemet kanë funksionuar, ndërkohë që ka ceduar njeriu. Kjo është e papranueshme për ne. Por, edhe në këtë aspekt, përgjegjësia është direkt e atij që drejton Bankën e Shqipërisë”, theksoi deputeti Braçe.

Me tone të ashpra, deputeti socialist ka shprehur, në emër edhe të Komisionit, rezerva të forta për mënyrën, se si Fullani administron Bankën Qendrore, duke e zhytur – sipas tij – edhe në pazare nepotike për interesa personale.

“Kemi folur në Komision për familjaritet politik brenda Bankës së Shqipërisë, favore personale të bëra për një arsye apo një tjetër, dhe ku arsyeja themelore ka qenë rizgjedhja, te funksionarë politikë në Parlament, në qeveri dhe në nivelin më të lartë të Kuvendit të Shqipërisë. Nepotizmi familjar është shumë i përhapur brenda BSH, për të vazhduar te lidhjet e klientëve të herëpashershëm politik dhe ekonomik, që lidhen drejtpërdrejt me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe drejtimin e saj. Në qoftë se do ishim dëgjuar kur i thamë të gjitha këto, sot nuk do ishim në këtë gjendje”, deklaroi gjatë emisionit “Ëake Up”, deputeti Braçe.

Top Channel