Sneijder: Duhet të synojmë vetëm trofeun

29/06/2014 00:00

Wesley Sneijder ishte ylli i padiskutueshëm i Holandës gjatë Botërorit të kaluar në Afrikën e Jugut, në fund të të cilit “tulipanët” morën edhe medaljen e argjendtë, por teksa sfida për të kaluar nga roli i finalistit tek ai i fituesit, nga medalja e argjendtë tek ajo e artë, e ka konsumuar atë, duket se mesfushori nuk kërkon ta humbasë këtë mundësi të fundit që i jepet.

Një marrëdhënie jo në harmoni të plotë me Louis van Gaal ka torturuar dy vitet e fundit të karrierës së mesfushorit, duke nxitur edhe sugjerimet se ai mund të lihet jashtë ekipit të “portokallinjve”, ndoshta që nga këto momente në “Brazil 2014”.

Vendimi i parë madhor i marrë nga Van Gaal, që kur mori në duar drejtimin e kombëtares, ishte heqja e shiritit të kapitenit Sneijder-it, duke e kritikuar madje për përgatitjen fizike të ish-liderit të Holandës. “Mendoj se ai nuk do të arrijë ta marrë medaljen e artë”, kishte deklaruar në mënyrë kërcënuese trajneri i “tulipanëve”.

Ndërkaq, Sneijder, jo vetëm që ka rimarrë vendin e tij në formacionin bazë, por ka luajtur një rol vital te Holanda, në këtë “stuhi” të vrullshme me të cilën ata janë kualifikuar nga faza e grupeve. Pasi arriti të zgjidhte këtë mosmarrëveshje me Van Gaal, ai mundi të zhvillonte ndeshjen e tij të 100-të me holandezët, teksa mesfushori i Galatasaray-t deklaron se ata tashmë mund të fokusohen vetëm te trofeu.

“Kur fiton të treja ndeshjet, atmosfera është gjithnjë fantastike. Ishim në një grup tepër të vështirë dhe përpara turneut, shumë njerëz mendonin se ne mund ta kishim të vështirë të kualifikoheshim. Megjithatë, patëm besim dhe ndërruam sistemin e lojës që përpara Botërorit. Vetëbesimi na është rritur gjithnjë e më shumë. Mbërritja me 9 pikë, me 10 gola të shënuar, në krye të një grupi me Spanjën, Kilin dhe Australinë, do të thotë shumë punë. Por, si në çdo turne, ne duhet të vazhdojmë me ambicien për ta çuar Kupën në shtëpi, pasi vetëm kështu mund të përballohen sfidat”, u shpreh Sneijder.

Kur kanë mbetur edhe 4 ndeshje nga ky objektiv, teksa rivali i radhës do të jetë Meksika, Sneijder shprehet: “Vetëm katër ndeshje? Jo, është ende një rrugë e gjatë për t’u bërë. Gjithsesi, kemi besim dhe duhet të shohim gjithnjë ndeshjen dhe kundërshtarin e radhës. Meksika ka një ekip shumë të mirë, do të përballemi me një rival të vështirë, por me përqendrim dhe fokusin drejt trofeut mund t’ia dalim edhe në këtë ndeshje. Pastaj, le t’ia lëmë fushës për të parë se ç’do të ndodhë”.

Top Channel