Kolumbia i falet talentit të Rodriguez

29/06/2014 00:00

Një dygolësh sublim i James Rodriguez ndihmuan Kolumbinë të hyjë në histori, teksa arrijnë në çerekfinalet e një Botërori për herë të parë, duke mposhtur 2-0 Uruguajin në Rio de Janeiro.

22-vjeçari ishte “magjistari” i sfidës së dytë tërësisht amerikano-latine të ditës së shtunë. Ai shënoi 2 gola në “Estadio do Maracana”, duke marrë momentalisht edhe kryesimin e golashënuesve të këtij Botërori me 5 gola në 4 ndeshje, si dhe i jep shpresa kombëtares së tij për një përballje edhe më të vështirë të premten e ardhshme, ndaj organizatorëve të Brazilit, ku do të fokusohet e gjithë vëmendja e kontinentit latin, por edhe më tej.

Kolumbia dominoi që në fillim ndeshjen, pavarësisht ndërhyrjeve të ashpra, ndërsa ekipi i drejtuar nga Oscar Tabarez vuajti ndaj një rivali që në fazën e grupeve kishte siguruar pikët e plota, e për më tepër me një Luis Suarez më pak, për shkak të pezullimit të tij.

Vetëm në minutën e 28 vjen mrekullia për Kolumbinë, kur talenti kolumbian Rodriguez, i cili luan qoftë si anësor sulmues, por edhe si sulmues i mirëfilltë, zotëroi në mënyrë perfekte një top me gjoks dhe, ende pa rënë topi në tokë, e goditi me të majtën në kthesë e sipër, duke detyruar Muslera-n ta prekte vetëm pak me gishta, por jo mjaftueshëm për ta nxjerrë sipër traut të portës së tij. Ndoshta goli më i bukur deri më tani në këtë Botëror.

Edhe pse Uruguaji u mundua të mos dorëzohej lehtë, siç edhe u tregua me kualifikimin e siguruar për në raundin e 16-sheve, nuk e pati fuqinë e nevojshme për të mposhtur mbrojtjen kolumbiane e veçanërisht portierin e saj, teksa vlen të theksohet një devijim i Edinson Cavani-t prej Cristian Zapata-s.

5 minuta nga nisja e pjesës së dytë ishte sërish Rodriguez, ai që la shenjën e tij të dytë në këtë takim. Nëse goli i parë ishte tërësisht një shkëlqim i tij individual, i dyti ishte një lojë perfekte e kolektivit, pasi ishte krosimi i Armero-s nga e majta, që u ndal nga Cuadrado në zonën e rreptësisë, për t’i ofruar mundësinë Rodriguez-it ta çonte atë drejt portës kundërshtare.

Cavani reagoi sërish me një gjuajtje ultazi të rrezikshme, që tërhoqi vëmendjen e mbrojtësve të papërgatitur, por porta nuk mundi të thyhej për ekipin e drejtuar nga Jose Pekerman.

Tashmë kolumbianëve u mbetet të përgatiten për sfidën më të madhe të këtij Botërori: të përpiqen të mposhtin organizatorët në Fortaleza.

Top Channel