Berlusconi dhe cikli i ri i Milanit

06/06/2014 00:00

Ka zgjatur thuajse 3 orë vizita e Silvio Berlusconi-t në “shtëpinë e Milanit”, e cila nisi vetëm pak pas orës 14 me drekën, më pas vizita në Muzeun dhe të gjitha zyrat e tjera, e që u mbyll pas orës 16:30.

Së bashku me padronin kuqezi ishte e bija, Barbara, administratori i deleguar Galliani, por edhe blerja e fundit Alex, i cili pikërisht me këtë rast firmosi edhe kontratën deri në fund të 2016-s.

Në fund të vizitës, Berluconi ka folur për gjithçka: Inzaghi-n, Seedorf, Balotelli-n dhe shumë të tjera.

“Muzeu është emocionues, sepse falë hologramëve shihen lojtarët që kanë shkruar historinë e Milanit, e me të cilët jemi të gjithë të lidhur. Nga këtu mund të them se Milani e ka detyrim të kthehet protagonist në Itali, në Europë dhe në botë. Salla e kupave? I thash sime bije se ishte shumë e vogël dhe duhet të mendonte për zgjerimin e saj, duke menduar për kupat e së ardhmes”, tha Berlusconi në lidhje me zyrat e reja të selisë së kuqezinjve.

Në lidhje me Inzaghi-n “e kam parë tepër të vendosur, të etur për fitore, absolutisht koherent me gjithçka që duam të jetë Milani, një skuadër që zbret në fushë për fitore, të fitojë duke u përballur barazisht me kundërshtarët dhe duke argëtuar publikun me spektakël”.

Sa i përket Seedorf-it, “do të shohim në mbledhjen e ardhshme të Këshillit, se cilat do të jenë zgjidhjet më të mira të mundshme”, ndërsa për merkaton e verës, “jemi duke vështruar disa mundësi dhe, duke përfituar nga fakti që do të na duhet të luajmë vetëm për Serie A, shpresojmë të hedhim në fushë për vitin e ardhshëm një skuadër, që të mund të nisë një cikël të ri. Ka shumë pritshmëri nga të gjithë ne, sa i përket lojtarëve të viteve ’96-’98, të cilët i kultivuam dhe i rritëm në shtëpinë tonë. Mes tyre pati edhe kampionë të jashtëzakonshëm”.

Nuk ka lënë pa lavdëruar as të bijën: “Barbara? Më vjen keq që nuk mund të zbresë në fushë të luajë, sepse nëse do të ishte po kaq e zonja, sa ç’ka treguar me këtë projekt… gjithsesi na ka bërë të gjithëve krenarë”.

Në fund, disa fjalë edhe për Balotelli-n, nëse do të jetë pjesë e ciklit të ri të Milanit: “Shpresoj që po, por duke shpresuar që të mësojë ta bëjë më mirë lojën e qendërsulmuesit”. Ndërkohë që për Seedorf, edhe pse ende nuk dihet se çfarë e ka zhgënjyer më shumë, thotë “e shkuara mebtet e shkuar”.

Top Channel