NBA, James dhuron “show”, 49 pikë

13/05/2014 00:00

Spektakli i netëve të “play-off”-eve në NBA ka një emër dhe një mbiemër: LeBron James. “Jashtëtokësori” i Miami-t arrin të shënojë 49 pikë dhe udhëheq ekipin e tij drejt suksesit në tapetin e Brooklyn Nets, 102-96, duke e çuar serinë e përballjeve në 3-1 për Heat-sat.

Në Perëndim, San Antonio kishte një shans të artë për të eliminuar Portland dhe për t’u kualifikuar më tej, por pa e shfrytëzuar, pasi Blazers i mposhtin 103-92 dhe sërish seritë shkojnë në 3-1 për Spurs-at. Pikëshënuesi më i mirë është Lillard i Portland, me 25 pikë.

Në “Barclays Center” të Brooklyn-it nuk ka garë, është vetëm James kundër të gjithëve. Gjysmën e pikëve të Miami-t mbajnë firmën e tij, ndërsa rezultati i takimit duket më i drejti në një përballje tepër të dyluftuar, por që u vendos nga klasi i një basketbollisti të vetëm.

Përpiqen të qëndrojnë në garë Nets-at, por në fund Heat-sat bëhet të pandalshëm dhe Ray Allen nuk gabon më. Miami Heat ka tashmë një shans të artë për t’i dhënë fund këtij dueli dhe për të siguruar finalen e Konferencës së Lindjes, ashtu sikurse edhe San Antonio, e cila zhgënjeu në sfidën e katërt, ku Tony Parker ishte pikëshënuesi më i mirë me 14 pikë.

Top Channel