Ndryshimi i menjëhershëm i disa kritereve vlerësuese në pranimin e doktoraturave në Universitetin Hasan Prishtina nxorri në protestë të hënën disa kandidatë.

Kriteret për pragun 8 të notës mesatare, 30% e testit të gjuhës angleze dhe intervista, në konkurs ishin kritere vlerësuese ndërsa pas aplikimit të kandidatëve, në fund të vitit 2013, Rektorati mori vendim që këto t’i kthejë në kritere të detyrueshme.

Kandidatët pretendojnë se për këto ndryshime duhet të ishin informuar para konkurrimit. “Asnjë përgjigje nuk kemi marrë që prej një muaji. Kërkesa jonë e vetme është që të pranohemi në bazë të konkursit”, deklaroi Vehbi Neziri, përfaqësues i protestuesve.

Një përfaqësi e tyre u takua me rektorin e Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi. Në prononcim për mediat, rektori Gashi tha se ankesat do të trajtohen dhe të martën pritet që Senati i Universitetit të dalë me një vendim lidhur me këtë çështje.

Pyetjes së Top Channel se, përse është marrë vendimi për ndryshimin e kritereve pas aplikimit të kandidatëve, rektori Gashi nuk e pa të arsyeshme t’i përgjigjej.

Nga ndryshimi i këtij vendimi, sipas përfaqësuesit të protestës, Vehbi Neziri janë rreth 180 ankesa të dorëzuara në Rektorat të kandidatëve për doktoratë. Në fund të vitit të kaluar, rektori Gashi kishte deklaruar se janë rreth 50 kandidatë të cilët nuk i plotësojnë kriteret e lartëpërmendura.

Top Channel