Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dënoi ashpër fenomenin e blerjes së votes në Bashkinë e Korçës, i denoncuar nga emisioni investigativ ‘Fiks Fare’.

Zoti Basha kerkoi nga Prokuroria ndermarrjen e disa veprimeve urgjente, ku, per ta bere te besueshem procesin, te perfshije edhe hetimin e atyre qe financuan blerjen e votave ne Korçe.

“Partia Demokratike denoncon fuqishëm këtë krim të rëndë jo vetëm ndaj qytetarisë së Korçës, por ndaj gjithë shqiptarëve pa dallime politike. Blerja e votës është vrasja e demokracisë. I kërkojmë prokurorisë që në mënyrë urgjente të kryejë sekuestrimin e të gjitha materialeve në të gjitha zyrat e Partisë Socialiste në Korcë. Te kryejë një hetim të shpejtë, të plotë dhe të gjithanshëm të ekzekutorëve që blenë votat në shkëmbim të parave por mbi të gjitha te organizatorëve që perdoren para te mafias për të blerë pushtetin e bashkisë së Korcës”, u shpreh Basha.
 
Kryetari i Partise Demokratike Lulzim Basha beson se pas skemes per blerje e votes ne bashkine e Korçës qendron nje skenar fatal per demokracine ne Shqiperi.
 
“Në Korçë Rama dhe të tijtë bënë të dielën një provë të përqendruar të kësaj metode të përdorur edhe në zgjedhjet politike të 23 qershorit, me planin për ta përdorur gjerësisht në zgjedhjet e ardhshme. Ky është shpjegimi i arbitraritet dhe paligjshmërisë që po ngrenë me shpejtësi në sistem në qeverisjen e tyre:  eliminimi i zgjedhjeve të lira, eliminimi nëpërmjet  blerjes së votës i gjykimit të  drejtë popullor.    Por ne jemi sot të vendosur të hedhim cdo hap tjetër, për të ndaluar dënimin me vdekje të zgjedhjeve të lira e të ndershme nëpërmjet parave të pista të krimit  dhe mafias politike në vend.Zgjedhjet e lira nuk i dorëzojmë.
Kushtetutën dhe ligjin nuk i japim.Demokracinë nuk e japim”,tha Basha.  
 
Duke perseritur qendrimin e Partise Demokratike per anulimin e zgjedhjeve ne Bashkine e Korces, zoti Basha i njohu meritat e plota emisionit investigativ “Fiks Fare”. “Dëshiroj të falenderoj stafin e këtij emisioni për shërbimin e vyer që i ka bërë të vërtetës së zgjedhjeve  në Korçë”, theksoi Basha.

PD: Komision hetimor për Korçën
Grupi parlamentar diskuton mbi 2 orë, Paloka: Ky është hapi i parë

Partia Demokratike mblodhi në mbrëmje, për më shumë se dy orë, grupin e saj parlamentar dhe vendosi që të kërkojë një komision hetimor për ngjarjen e Korçës. Edi Paloka tha se ky është vetëm hapi i parë i opozitës, për atë që shqiptarët e panë me zë dhe figurë në emisionin “Fiks Fare”, blerjen e votës në 3 nëntor.

“U faktua me zë e me figurë, dje në emisionin televiziv ‘Fiks Fare’, pasi dihej që si fenomen ishte i njohur për të gjithë ne dhe i denoncuar nga ne. E kemi denoncuar këtë fenomen që nga 23 qershori, kemi denoncuar blerjen e votave në të gjithë Shqipërinë nga dy aleatët që sot drejtojnë, kanë pushtetin në dorë, Rama e Meta, dhe dje, siç të gjithë e ndoqët, morëm konfirmimin se kemi të bëjmë jo vetëm me një rast të veçantë, por me një sistem të ngritur tërësisht dhe të përgatitur nga këto dy figura, me qëllim që vota e lirë e shqiptarëve të mos jetë më e lirë, që demokracia të mos jetë më e tillë, dhe parlamentarizmi të mos jetë më i tillë. Prandaj ne, si hap të parë, kemi vendosur ngritjen e një komisioni hetimor në Parlament, dhe ky do të jetë vetëm i pari, pasi një ngjarje kaq të rëndë ne nuk mund ta lëmë as në heshtje dhe as në harresë. Bëhet fjalë për vet themelet e demokracisë, për vet themelet e pluralizmit në Shqipëri”, u shpreh Edi Paloka, kreu i grupit parlamentar të PD-së.

Dhunohen zyrat e PD në Mat
Strazimiri: Ky akt dhune, me frymëzim nga kryeministri Rama

Partia Demokratike denoncoi thyerjen dhe bastisjen e zyrave të saj në Mat, si një akt dhune me frymëzim politik.

Duke shfaqur pamje nga mjediset e brendshme të shkatërruara, Partia Demokratike tha se zyrat e opozitës në Mat nuk kanë mall me vlerë për hajdutët, prandaj nuk e konsideroi ngjarjen një vjedhje, por dhunim dhe fragment të klimës antiligj që, sipas saj, po krijon kryeministri Edi Rama.

Partia Demokratike thotë se me dhunimin e zyrave të saj, dhunimin e votës në Korçë, dhunimin e sigurisë së pronës së qytetarëve, qeveria po provon se e vetmja gjë që di të bëjë dhe të prodhojë është dhuna.

Nëpërmjet deputetit Gent Strazimiri, Partia Demokratike tha se kryeministri Rama i ka bërë llogaritë gabim, nëse beson se me klimën e antiligjit dhe terrorit do të trembë demokratët dhe këdo shqiptar që nuk brohoret për të.

Top Channel