PS:Argita e Jamarbër 216 mln lekë në vit si mësues

17/12/2012 00:00

PS në ditën e katërt të denoncimeve rreth pasurive të qeveritarëve për
të cilët përdor termin “bllokmenët blu”,  nëpërmjet deputetit Taulant
Balla, ka analizuar të ardhurat e deklaruara nga Jamarbër Malltezi
bashkëshorti i Argita Berishës vajzës së kryeministrit .

“Dua të bëj të qartë se gjithçka po zbardhim për publikun është deklarimi zyrtar i vetë Sali Berishës dhe familjarëve të tij”, u shpreh zoti Balla.

“Nëse Argita Berisha në një vit ka përfituar plot 146 milionë lekë nga mësimdhënia, nuk mbetet prapa as bashkëshorti i saj.Plot 70 milionë lekë për Jamarbër Malltezi, sipas deklaratës së tij të pasurisë, të fituara po ashtu nga mësimdhënia, gjatë një viti. Për ta bërë sa më të qartë për të gjithë shqiptarët, çifti Argita Berisha dhe Jamarbër Malltezi në një vit janë paguar 216 milionë lekë si mësues, ndërkohë që fitimet e tyre vjetore janë plot 313 milionë lekë.Ky është çifti më i paguar i bllokmenëve blu, vajza dhe dhëndri i Kryeministrit”, tha Balla.

Të dy bashkëshortët duhet të përgjigjen publikisht  tha deputeti Balla për t’i bërë me dije publikut se sa është tarifa që ata paguhen në orë.

“Dihet publikisht se cdo orë mësimi në fakultetet shetërore paguhet maksimumi 10 mijë lekë dhe në fakultetet private paguhet maksimumi 30 mijë lekë. Pas një llogarie të thjeshtë, sipas kësaj tarife, del se Jamarbëri jep me këtë tarifë 2333 orë mësim, ndërsa Argita thyen çdo rekord duke rezultuar se jep 4867 orë mësim në vit. Me këtë llogari mjaft të thjeshtë na rezulton se zonja Argita Berisha, në 223 ditë shkollore në total, jepka mësim gati 22 orë në ditë, pavarësisht në është ditë apo natë” tha Balla.

Top Channel