Post ndeshja Barça-Milan

04/04/2012 00:00

Skuadra e Milanit dhe tifozët italianë fajësojnë gjyqtarin e ndeshjes Kuipers për eleminimin e tyre nga Liga e Kampioneve, ndërkohë që media spanjolle dhe në veçanti ajo katalanase del në mbrojtje të holandezit.

“Nuk fituam prej 11 metërshave, fituam sepse ishim më mirë se Milani në 180 minuta lojë. Penalltitë e dhëna ishin mëse të qarta”, ky është komenti i gazetës Mundo Deportivo e cila në faqen e parë ka vendosur një foto të Messit me shkrimin “Bravissimo”.

Gazetat sportive madrilene kanë shkruar se 11 metërshi i dytë ishte i kontestuar, ndërkohë që i kanë dhënë më shumë hapësirë deklaratës së Ibras pas ndeshjes. Suedezi ka theksuar se vetëm tani e kupton thëniet e Mourinho kur flet për favoret që përfiton Barcelona.

Sportivja “As”,  ka publikuar foto të 11 metërshit të dytë ku duket qartë se bllokimi që i bën Nesta Buskets ka ndodhur në kohën kur topi nuk është në lojë.

Titulli i italianes “Gazzeta dello Sport” është “Barça ndihmohet”, ku nënkuptohet 11 metërshi i dytë i shumë diskutuar që ndryshoi dhe rrjedhën e lojës. Në këtë debat është përfshirë edhe zëdhënësi i Mourinhos, Eladio Paramés, me një batutë ironike në rrjetin social Twitter:

“Pas këtyre 45 minutave të para tashmë e dimë se kush do të dalë në finale dhe kush do ta fitojë Champions. Cdo sezon mësojmë gjëra të reja. Sot mësuat që penalltia jepet edhe kur topi s’është në lojë”, shkruajti ai.

Top Channel