Këshillat për blerjet me ulje

28/02/2012 19:15

Momenti aktual është shumë i volitshëm për të gjithë ata që duan të bëjnë blerje, pasi uljet në qëndrat tregëtare janë mjaft të ndjeshme. Çmimet e koleksioneve dimërore janë të përgjysmuara, madje në disa raste arrijnë deri në -70%.

Kamerat e emisionit të “Pasdites” në “Top-Channel” shkuan në një qendër tregëtare, për të përzgjedhur artikujt më të përshtatshëm për të realizuar blerje, në veshje, këpucë, çanta apo bizhuteri.

Impresionimi nga çmimet e ulta dhe veshjet tërheqëse është gjithmonë një faktor që shpesh të largon vëmendjen nga ajo që të mungon nga garderoba dhe blerjet me të vërtetë të rëndësishme. Për këtë arsye, “Pasdite” ofroi disa këshilla të dobishme për të realizuar blerjet e nevojshme.

Rregulli i parë, nis që nga shtëpia. Duhet të hapni dollapin dhe të shikoni se çfarë mungon në të në mënyrë që të mos blini gjëra të përsëritura.

Në një dyqan këpucësh, gazetarja e “Top-Channel” mori këshillat e duhura për blerjet që duhet të bëhen në këtë periudhë të vitit. “Unë do të këshilloja këpucët e mbrëmjes, ato që mund të vishen vetëm me raste. Në ditët e sotme janë shumë lirë dhe blerësi mund të përfitojë me çmim të ulët një mall me të vërtetë të mirë. E njëjta vlen edhe për ata që kanë preferencë për këpucët e sheshta, që tani mund të gjenden me ulje. Sidoqoftë, ky është një rast i mirë, edhe për të gjithë personat që preferojnë njërin lloj këpucësh dhe kanë prej tyre me shumicë në garderobë. Në këtë periudhë, mund të përfitojnë me çmim të lirë edhe llojin e këpucëve që nuk kanë”.

Sidoqoftë kjo është një periudhë e shkëlqyer edhe për të kompletuar garderobën me veshjet dimërore. “Kemi triko të gjata, të shfrytëzueshme për këtë sezon, por duke qenë se është fundi i dimrit, ato janë me 50% ulje dhe do të ishin një investim i shkëlqyer për sezonin e ardhshëm dimëror. Sidoqoftë, ndryshe nga palltot, këto triko të gjata mund të vishen edhe për 2-3 muaj të tjerë, përgjatë pranverës. Peliçet gjithashtu janë të leverdisshme, pasi kanë një çmim fillestar tepër të shtrenjtë, por në këtë periudhë edhe ato gjenden me gjysëm çmimi”, u shpreh administratorja e një dyqani rrobash.

Kjo është një periudhë shumë e përshtatshme edhe për meshkujt për të plotësuar garderobën e tyre. Menaxherja e një dyqani të tillë në qendrën tregëtare pranë kryeqytetit, u shpreh: “Meshkujt në garderobën e tyre, në sezonin e uljeve, duhet të blejnë një kostum, pavarësisht se ata janë të rinj dhe nuk mund ta veshin përditë. Së bashku me kostumin, që mund ta gjejnë deri 50% ulje, do të ishte mirë të blinin edhe një këmishë, një rrip dhe një palë këpucë që i përshtaten moshës së tyre. Kështu nuk kanë përse të stresohen nëse në një moment të caktuar do të kenë një rast ku duhet të vishen në mënyrë formale”.

Dyqanet e orave gjithashtu kanë për të dhënë këshillat e tyre: “Përsa i takon një risie të re që ka hyrë tek orat, është e ashtuquajtura ora e fundjavës dhe unë kam disa modele për të këshilluar të tillë. Janë ora të përshtatshme pikërisht për daljet, për shkujdesjen e fundjavës, më sportive dhe ndryshojnë nga orat e zakonshme që tregojnë një status social apo që mbahen në punë”.

Top Channel