Në qytetin e Lezhës është grabitur një pikë e këmbimit valutor. Policia, që mbërriti në vendngjarje, deklaroi se dy persona pa maska por të armatosur, kanë vjedhur rreth 7 milionë lekë të vjetra dhe 3000 dollarë.
Policia nuk jep më shumë detaje mbi këtë ngjarje, ndërsa kohë më parë në të njëjtën pikë të këmbimit valuator në Lezhë janë kryer grabitje.
Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, nisur edhe nga dëshmitë e personave në vendgjarje.
Berat, grabitet argjendaria, autorët në arrati
Ndërkohë, një vjedhje e ngjashme ka ndodhur po ditën e sotme në lagjen “Mangalem” të qytetit të Beratit. Për më shumë se 15 minuta është mbajtur peng shitësja e nje dyqani aregjendarie.
Dy persona të armatosur dhe të maskuar hynë në dyqan dhe pasi grabitën gjithçka u larguan me shpejtësi. Në vendin e ngjarjes mbërritën ekspertët e policisë, të cilët nisën hetimet për të identifikuar autorët e kësaj vjedhjeje.
Në momentin e grabitjes është dëgjuar edhe një krismë arme, ndërkohë që në rrugicat e lagjes “Mangalem” u gjet një armë zjarri e tipit Kallashnikov dhe një maskë.
Dyshohet se objektet në fjalë janë lënë nga autorët pas vjedhjes. Shuma e mallit të vjedhur mësohet se kap vlerën e rreth 100 milionë lekëve.
Tiranë, grabitet në mes të ditës banka
Në fund të muajit të kaluar filiali i një banke u grabit në Tiranë nga dy persona të maskuar dhe të armatosur, në rrugën e Dibrës, pranë vendit të quajtur Selvia.
Dëshmitarë pranë vendngjarjes deklaruan se grabitësit kishin shfrytëzuar përfundimin e orarit zyrtar dhe nën kërcënimin e pistoletës hynë në filialin e bankës ku morën 2 milionë lekë të vjetra.
Situata shkaktoi panik tek punonjësit e bankës dhe kalimtarët e rastit. Dy grabitësit u larguan nga një rrugë dytësore me një motor dhe deri më tani nuk janë ndaluar nga policia.
Grabitjet e armatosura janë prej kohësh një fenomen shqetësues në vend. Rreth dy javë më parë një pikë karburanti u vodh në këtë mënyrë në aksin rrugor Kavajë-Rrogozhinë.
Pikërisht në Kavajë, në Luz të Madh, më herët gjatë muajit banorët shprehën shqetësimin e tyre për grupe të armatosura që lëviznin gjatë natës duke kryer grabitje.
Top Channel