Një fushatë e vërtetë kërkimi po zhvillohet në një park kombëtar në shtetin e Uashingtonit, në SHBA, ku i kërkuari është një veteran i luftës në Irak, i dyshuar se ka qëlluar për vdekje një roje të parkut.
Parku kombëtar Mount Rainier u mbyll menjëherë nga autoritetet pasi gardiania Margaret Anderson, 34 vjec, u qëllua për vdekje teksa përpiqej të ngrinte një postobllok për të ndaluar makinën e të dyshuarit.
Personi në fjalë, Benjamin Colton Barnes, 24 vjec, kërkohej edhe për një tjetër veprim, që ka të bëjë me përdorim të armëve të zjarrit në publik.
Barnes raportohet të jetë një veteran i luftës në Irak i stërvitur për mbijetesë në kushtet e luftës. Policia tha se ka bllokuar automjetin e tij, në të cilin janë gjetur armë dhe jelekë anti-plumb.
Të shtënat u regjistruan teksa alpinisët ishin mbledhur për të ngjitur parkun pyjor dhe për të parë panoramat spektakolare që ofron ai.
Por parku u mbyll menjëherë pas të shtënave dhe rreth 85 vizitorë dhe 15 punëtorë të tij u lëvizën dhe më pas u larguan nga agjentët e policisë për motive sigurie.
Policia tha se Barnes kërkohej për t’u marrë në pyetje për një ngjarje tjetër të ndodhur më parë, ku ai kishte hapur zjarr me armët e tij gjatë festës së ndërrimit të viteve, në jug të Siatëllit, ku mbetën të plagosur katër persona.
Sherifi i Kontesë së Kingut regjistroi disa dëshmi sipas të cilave persona të shumtë të armatosur ishin të pranishëm në festë dhe të shtënat erdhën menjëherë pas një debati mbi armët.
Top Channel