Nënshkruhet Shengeni Ballkanik

14/12/2011 00:00

Iniciativa e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë për lëvizjen vetëm me karta identiteti është konkretizuar me nënshkrimin e marrëveshjeve me Malin e Zi dhe Maqedoninë.

Ato janë nënshkruar nga ministrat e Jashtëm të Malit të Zi dhe Maqedonisë, të cilët u shprehën se ky është një hap i rëndësishëm dhe shumë konkret, duke rritur mundësitë e lehtësimit të lëvizjes mes tre shteteve.

Pas ratifikimit nga Parlamentet e vendeve nënshkruese të marrëveshjes, qytetarët shqiptarë, malazezë dhe maqenodas, së shpejti në pikat kufitare do të kalojnë vetëm me tregimin e kartave biometrike të identitetit.

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, në një konferencë për shtyp, ministri Edmond Haxhinasto, i pyetur nga Top-Channel nëse kjo iniciativë do të shtrihet edhe në vënde të tjera të rajonit, pse jo edhe në vëndet e BE-së, dha këtë përgjigje.

“Qëllimi ynë është të vazhdojmë me marrëveshje të tilla, që shqiptarët të lëvizin të lirë në hapësirën rajonale dhe më pas në atë Schengen. Është një qëllim i vazhdueshëm i diplomacisë dhe shërbimeve tona konsullore për arritjen e nismave të tilla”, deklaroi Haxhinasto.

Pala shqiptare gjatë presidencës së iniciativës rajonale MARRI në vitin 2010 lancoi idenë e krijimit të një zone të lëvizjes së lirë ndërmjet vendeve anëtare, duke synuar një Shengen Ballkanik, i cili do të konkretizohet edhe me nënshkrimin e një marrveshjeje të ngjashme me Bosnje Hercegovinën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA