Xavi: “Klasikja” nuk mbyll asgjë

07/12/2011 13:45

“Nëse nuk fitojmë ndaj Real Madrid do të kemi mundësi për të marrë sërish pikë të tjera sepse ka edhe shumë ndeshje deri në përfundim. Kampionati nuk mbyllet të shtunën.”

Kështu është shprehur Xavi Hernandez në konferencën e shtypit para mediave spanjolle.

“E kam kritikuar Realin e Madridit në ndeshjet e sezonit të kaluar sepse nuk luajtën në sulm edhe pse i kanë mundësitë. Por, në ndeshjet e Superkupës luajtën në sulm dhe mendoj se edhe në takimin e radhës do të bëjnë të njëjtën gjë. Dua vetëm që të flitet për futboll pas ndeshjes dhe jo për vendime arbitrash apo për shkelmat në fushë”, shtoi mesfushori spanjoll i Barcelonës.

Përsa i përket favoritëve, Xavi pranoi se madrilenët vijnë më në formë për ndeshjen e Bernabeut: “Kanë 11 fitore radhazi në kampionat dhe janë 3 pikë para nesh. Do të thotë që janë më mirë, por në këto ndeshje nuk ka shumë rëndësi klasifikimi.”

Real Madrid-Barcelona do të luhet në datën 10 dhjetor, në “Santiago Bernabeu”.

Top Channel