Qeveria britanike lajmëroi të hënën për vendosjen e sanksioneve, që çojnë në prerjen e të gjitha marrëdhëvieve ekonomike me bankat iraniane.
Vendimi merret në vazhdën e sanksioneve të paralajmëruara, pasi Agjensia Botërore e Energjisë Bërthamore shprehu shqetësimin e saj për programin bërthamor iranian.
Nga ora 16:00 e ditës së hënë, efektivitisht, të gjitha bankat britanike ndërpresin transaksionet financiare me të gjitha bankat iraniane, përfshi Bankën Qëndore. Asetet e tyre në Britani do të mbahen të ngrira.
Kjo është hera e parë në historinë e Britanisë së Madhe, që imponon sanksione të këtij lloji. Fuqia për të imponuar ndërprerjen e marrëdhënieve bankare iu dha shtetit, nëpërmjet një ligji të posaçëm të miratuar në vitin 2008, në kuadrin e luftës kundër terrorizimit. Deri më sot, ky ligj ishte përdorur vetëm ndaj bizneseve dhe personave të dyshuar.
Cameron: Strategji e re për zhvillimin
Kriza e Eurozonës është duke patur një ndikim të madh në ekonominë e
Britanisë së Madhe, pranoi në një konferencë të mbajtur gjatë ditës kryeministri David Cameron.
Sipas tij, vargu i lajmeve të këqija që po vijnë nga kontinenti është duke ulur në rekorde të ulta besimin e investitorëve, duke ndikuar drejtëpërsëdrejti në reduktimin e rritjes së ekonomisë në Britani.
Megjithatë, Cameron theksoi se në vetvete, ekonomia britanike është “solide”, ndërsa premtoi zbatimin e një strategjie më efikase, të fokusuar tek reduktimi i borxheve dhe stimulimi i rritjes.
Gjithashtu, kryeministri paralajmëroi se Ministri i Financave do të shpallë gjatë javës së ardhshme një skemë ambicioze të “reduktimit të barrës së borxheve tek bizneset”, nga e cila pritet të përfitojnë bizneset e vogla dhe të mesme.
”Ndonëse ekonomia jonë është e qëndrueshme, të gjithë bien dakord që gjatë dekadave të shkuara, jemi bërë shumë të varur nga borxhet, nga konsumi dhe shërbimet financiare. Nëse duam të krijojmë një model të ri rritje, duhet t’i japim lehtësira sipërmarrësve dhe të rikthejmë besimin e investitorëve”, theksoi Cameron.
Top Channel