Liderë të ndryshëm botërorë nxituan ta përshëndesin arritjen më në fund të një marrëveshjeje mes SHBA-së e Iranit. Presidenti Donald Trump bëri të ditur se bllokada detare amerikane ndaj porteve iraniane do të hiqet menjëherë, ndërsa Ngushtica e Hormuzit do të rihapet pas përfundimit të operacioneve të pastrimit të minave detare.
Kjo pritet të lejojë rikthimin normal të eksporteve të naftës, me ndikim pozitiv në tregjet globale të energjisë. Ndër të parët që reagoi ishte kancelari gjerman, Friedrich Merz, i cili e cilësoi ujdinë kornizë si një “arritje diplomatike historike”, duke përgëzuar presidentin amerikan për rolin e tij në negociata.
Sipas Merzit, marrëveshja mund të kontribuojë në stabilizimin e Lindjes së Mesme dhe në rimëkëmbjen e ekonomisë globale, por zbatimi i saj, nga sa shtoi kreu i qeverisë gjermane, duhet të jetë i plotë dhe i vendosur.
Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftoi se çështja e hapjes së përhershme të Ngushticës së Hormuzit do të jetë pjesë e diskutimeve në samitin e G7 në Francë. Sipas tij, krahas sigurisë detare, në fokus do të jenë edhe Libani dhe programet bërthamore e raketore të Iranit.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, deklaroi se po ashtu se “liria e lundrimit pa tarifa duhet të rikthehet tani në Ngushticën e Hormuzit”, duke shtuar se Britania është e gatshme të ndihmojë në operacionet për pastrimin e minave detare. Ai përsëriti gjithashtu Marrëveshja u konfirmua nga Uashingtoni dhe Islamabadi pas disa javësh negociatash intensive.
Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, deklaroi se palët kanë rënë dakord për ndërprerjen e operacioneve ushtarake dhe se ceremonia zyrtare e nënshkrimit pritet të zhvillohet të premten në Zvicër.
Ministria e Jashtme e Katarit shprehu “mbështetjen e plotë për të gjitha përpjekjet dhe iniciativat që synojnë forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal”.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, theksoi “nevojën për të shmangur retorikën, provokimet dhe veprimet që mund të rrisin tensionet në periudhën para nënshkrimit të marrëveshjes”, duke bërë thirrje gjithashtu për vigjilencë ndaj çdo përpjekjeje të mundshme për sabotim.
Kryeministri australian, Anthony Albanese, dhe ministrja e Jashtme, Penny Wong, bënë thirrje për “përmbajtje të vazhdueshme dhe angazhim konstruktiv”.
Ekspertët megjithatë, bëjnë thirrje për kujdes. Sipas Richard Fontaine, marrëveshja nuk zgjidh automatikisht çështjet më të ndërlikuara, si programi bërthamor iranian, raketat, dronët dhe mbështetja për grupet aleate të Teheranit në rajon. Ai e sheh marrëveshjen si një hap pozitiv, por jo si fundin e konfliktit.
Top Channel