Kryeministri i Kosovës Hashim Thaci, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, ka akuzuar Serbinë për dhunën e regjistruar në veri, pas tërheqjes së forcave speciale kosovare.

“Kjo situatë është shkaktuar nga Beogradi dhe është për të ardhur keq që ndodh në momente bashkëkohore dhe të integrimeve euro-atlantike”, ka deklaruar Thaci.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të ruajnë qetësinë dhe ka theksuar se nuk do të tolerojë aktet e dhunës.

“Qytetarë, ruani qetësinë dhe kini besim tek KFOR-i. Skenari i Serbisë për ndarjen e veriut të Kosovës nuk do të ndodhë kurrë. Nuk do ta tolerojmë dhe nuk do të bëjmë asnjë kompromis me autorët e dhunës”, ka theksuar Thaci.

Më tej kryeministri ka shprehur bindjen se, “rendi do të vendoset së shpejti dhe nuk do të ketë kthim në status kuo. Kemi marrë vendime të drejta, që do të realizohen”.


Qeveria sulmon EULEX-in

“EULEX-i është i nevojshëm ose për krejt Kosovën, ose për askënd”. Ky ka qenë konstatimi i zëvëndëskryeministrit Hajredin Kuçi kur është pyetur nëse është i nevojshëm ky mision në Kosovë, pasi nuk mbështeti Policinë e Kosovës kur ndërhyri në pjesën veriore.

EULEX: S’mbështesim nisma të pakonsultuara

Misioni EULEX ka reaguar ndaj akuzave të bëra sot nga kryeministri Hashim Thaci, duke deklaruar se nuk mund të mbështesë nisma që nuk janë bërë në konsultim me të.

“BE dhe EULEX nuk janë në një pozicion që të mbështesin masat që nuk janë ndërmarrë në konsultim të plotë me të gjitha palët e përfshira”, ka deklaruar misioni evropian.

Përmes një komunikate për shtyp, EULEX ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me situatën në veri të Kosovës, si dhe ka kërkuar nga të gjitha palët që të tregojnë maturi dhe qetësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA