Misioni EULEX ka reaguar ndaj akuzave të bëra sot nga kryeministri Hashim Thaci, duke deklaruar se nuk mund të mbështesë nisma që nuk janë bërë në konsultim me të.

“BE dhe EULEX nuk janë në një pozicion që të mbështesin masat që nuk janë ndërmarrë në konsultim të plotë me të gjitha palët e përfshira”, ka deklaruar misioni evropian.

Përmes një komunikate për shtyp, EULEX ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me situatën në veri të Kosovës, si dhe ka kërkuar nga të gjitha palët që të tregojnë maturi dhe qetësi.

Në këtë dokument thuhet gjithashtu se misioni po punon në mënyrë aktive për të siguruar praninë e tij në portat 1 dhe 31.

“Këto porta janë përforcuar nga njësitë speciale të policisë së EULEX-it, që ka shtuar edhe numrin e patrullave policore në veri të Kosovës, për të ofruar më shumë siguri”, thuhet më tej në komunikatë.

Top Channel