“EULEX-i është i nevojshëm ose për krejt Kosovën, ose për askënd”. Ky ka qenë konstatimi i zëvëndëskryeministrit Hajredin Kuçi kur është pyetur nëse është i nevojshëm ky mision në Kosovë, pasi nuk mbështeti Policinë e Kosovës kur ndërhyri në pjesën veriore.

Deklarata e Kuçit erdhi pas mbledhjes së qeverisë, ku kryeministri Hashim Thaçi “sulmoi” ashpër EULEX-in, meqë sipas tij, refuzimi për të mbështetur veprimin është në kundërshtim të plotë me rolin për të cilin janë ftuar nga institucionet e Kosovës.

Madje, zyrtarëve të misionit të Bashkimit Europian, kryeministri u ka kërkuar të japin ndonjë shembull nga vendet e kësaj organizate, ku kontrabanda, krimi i organizuar e strukturat paralele janë normale.

“Të përdoret vendi ynë për kalimin e mallrave është në kundërshtim me vlerat dhe parimet evropiane e perëndimore. Nëse misioni EULEX mendon se lejimi i kontrabandës, krimit dhe strukturave paralele është dicka normale, që duhet toleruar, atëherë le të na japin vetëm një shembull konkret në cilin shtet të BE-së lejohet kontranbada, krimi dhe strukturat paralele”, deklaroi Thaci.

“Konstatimi im është ky: EULEX-i është i nevojshëm ose për krejt Kosovën, ose për askënd”, u shpreh më pas Kuci.

Në anën tjetër, sipas kryeministrit Thaçi, ka qenë koha për një veprim të tillë, sepse prej 12 vjetësh kanë dështuar të gjithë për marrjen e ndonjë veprimi për vendosjen e rendit dhe ligjit në atë pjesë, si vendorët po ashtu edhe ndërkombëtarët.

Ndërkaq, sipas zëvëndëskryeministrit Kuçi, njësitet specialee kanë kryer mandatin e tyre për vendosjen e rendit dhe ligjit në dy pikat doganore, 1 dhe 31, ku tashmë janë vendosur policët kufitarë dhe doganierët.

Gjatë këtij aksioni nga armët e zjarrit u plagosën dy policë, njëri prej tyre, Enver Zymberi, 32 vjeç, vdiq vetëm pak orë më vonë nga plagët e marra. Për të ndihmuar familjen e policit të vrarë qeveria e Kosovës gjatë së mërkurës i ndau 25 mijë euro dhe mbajti një minutë heshtje për të nderuar punën e tij për vendin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA